Para zgjedhjeve të parakohshme në Gjermani, të cilat do të mbahen më 23 shkurt, liderët e CDU-së Friedrich Merz dhe të SPD-së Olaf Scholz zhvilluan një debat televiziv, i cili ishte jashtëzakonisht i ashpër.
Merz dhe Scholz patën përplasje të ashpra për çështje të ekonomisë, migracionit dhe mbrojtjes, ku nuk munguan as fyerjet.
“Sa budalla mund të jetë dikush?” pyeti Scholz Merzin, teksa diskutonin për planet e CDU-së për migrantët, përfshirë idenë e vendosjes së kufijve fizikë dhe refuzimin e hyrjes në Gjermani për personat që kërkojnë azil.
Merz iu përgjigj më vonë gjatë diskutimit mbi punën e qeverisë që Scholz ka drejtuar nga viti 2021 deri në fund të vitit 2024.
“Ju nuk jetoni me këtë pagë. Ajo që thoni është një përrallë,” tha Merz, pasi Scholz pretendoi se qeveria e tij kishte qenë e suksesshme në menaxhimin e migracionit.
Në lidhje me akuzat e Scholz se CDU mund të formojë një koalicion me partinë ekstremiste të djathtë AfD, Merz u shpreh qartë se nuk do të ketë asnjë bashkëpunim dhe se do të respektohet “barriera” kundër së djathtës radikale në vend.
Më vonë gjatë debatit, Merz akuzoi Scholz dhe qeverinë e tij të majtë se kanë lejuar rritjen e ndjeshme të AfD-së në sondazhe, duke e quajtur këtë parti “një kërcënim serioz për demokracinë tonë” dhe duke fajësuar politikat e Scholz-it dhe të të Gjelbërve për këtë situatë.
Dy liderët u përplasën veçanërisht për politikat ekonomike dhe buxhetore. Merz propozoi lehtësime të mëdha tatimore dhe disiplinë më të rreptë fiskale, ndërsa Scholz i cilësoi këto politika si të favorshme për të pasurit.
Një nga përplasjet më të mëdha ndodhi mbi mënyrën se si të trajtohet një luftë tregtare e mundshme me SHBA-në. Scholz argumentoi se politikat e migracionit të Merzit do të dobësonin solidaritetin që Evropa ka nevojë për t’i rezistuar Trump-it.
“A mendon seriozisht Merz që vendi më i madh në Evropë, që ndodhet në qendër të saj, të jetë ai që shkel ligjin evropian? Ku do të duhet të mbështetemi te e gjithë Evropa, nëse përballemi me politika doganore nga qeveria amerikane që shpesh janë të drejtuara kundër Gjermanisë dhe që mund t’i kundërshtojmë vetëm së bashku?”, pyeti Scholz.
Ai shtoi se gjithçka që propozon Merz “është kundër interesave të Gjermanisë.”
Më vonë, të dy liderët u pyetën nëse BE duhet t’i përgjigjet kërcënimeve të tarifave të Trump-it me masa të ngjashme. Të dy sugjeruan se Evropa është e gatshme të ndërmarrë kundërmasa.
Merz tha se “tarifat janë sigurisht një mundësi,” duke kujtuar vitin 2018, kur ish-presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, arriti një marrëveshje me Trump-in në Uashington për të pezulluar planet për tarifa të reja kundër BE-së.
“Evropianë të fuqishëm, një përgjigje e fuqishme. Të flasim me amerikanët nga pozita të barabarta dhe t’u themi qartë çfarë është e mundur dhe çfarë jo,” deklaroi Merz.
Scholz sugjeroi se Evropa tashmë ka një plan konkret për përgjigje:
“Ne jemi të përgatitur për këtë. Pra, përgjigja është që, me kujdesin më të madh diplomatik, mund të veprojmë si Bashkim Evropian me një zë të vetëm,” tha kancelari gjerman.
Megjithatë, kur u pyetën se si të menaxhojnë më gjerësisht marrëdhëniet me Trump-in, të dy liderët ofruan përgjigje të paqarta.