Tifozët e Arsenalit, por edhe futbolldashësit kanë mbetur të habitur pas përjashtimit me të kuq të mesfushorit Declan Rice në ndeshjen kundër Brightonit.
Sot (e shtunë) pasdite, Topçinjtë mirëpritën Brighton në Emirates Stadium në ndeshjen e javës së tretë të Ligës Premier.
Djemtë e Mikel Artetës e nisën shkëlqyeshëm ndeshjen pasi dominuan pjesën e parë dhe përfundimisht kaluan në epërsi 1-0 falë golit të Kai Havertz në minutën e 38-të.
Megjithatë, në fillim të pjesës së dytë, Arsenali u reduktua në 10 lojtarë pasi mesfushori Rice mori kartonin e dytë të verdhë.
Fillimisht, tifozët u tërbuan pasi përsëritjet treguan se anglezi u godit aksidentalisht nga ylli i Brighton, Joel Veltman, i cili humbi topin.
Megjithatë, më pas u kuptua nga njoftimi i faqes zyrtare të Ligës Premier se Rice në të vërtetë e largoi topin nga mbrojtësi i Brighton në një përpjekje për të vonuar rifillimin e ndeshjen.
Komentatorët e TNT Sports, Darren Fletcher dhe Ally McCoist, por edhe tifozët dhe shikuesit e ndeshjes mbetën të hutuar se pse Rice mori kartonin e dytë të verdhë, respektivisht të kuqin.