Dega e GUXO në Ferizaj shuan aktivitetin, Meta zbulon pakënaqësitë ndaj Gërvallës dhe Pecit

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, nga radhët e Partisë GUXO, Burim Meta ka thënë se ka pakënaqësi të shumta brenda strukturave të këtij subjekti, me dy krerët e partisë, Donika Gërvallën dhe Faton Pecin.

Si rrjedhojë e këtyre pakënaqësive, Meta ka bërë të ditur për Telegrafin se është marrë vendim që dega e GUXO-s në Ferizaj të shuajë aktivitetin e saj.

“Është e vërtetë, në mbledhjen e brendshme që ka pas kryesia e GUXO-s ka marrë një vendim të tillë si rezultat i largimit nga kauza e identitetit politik nga dy bashkëkryetarët e partisë, dhe shfrytëzimi i partisë vetëm për interesa personale dhe duke shkelur mbi të gjithë të tjerët, duke mos lejuar fjalën e lirë e duke mos pranuar asnjëherë mendimin ndryshe dhe duke i shkelur shumicën e neneve të statutit të partisë”, ka thënë Meta.

“Po ka shumë të pakënaqur nga të gjitha degët në komuna, janë vetëm një grup njerëzish që mund ti numërosh me gishtat dy duarve që këta i mbajnë nën kontroll, ndërkaq struktura tjetër sikurse Këshilli i Përgjithshëm që është organi më i lartë ekzekutiv i partisë, nuk mendon si ta”, tha Meta.

Meta ka thënë se kjo nuk nënkupton që nuk do t’i përkrahin Gërvallën dhe Pecin në zgjedhjet nacionale që do të mbahen më 9 shkurt.

“Do t’i përkrahim në këto zgjedhje të 9 shkurtit, jemi ne struktura e GUXO-s që e ruajmë kauzën dhe identitetin e saj. Elektorati është i njoftuar me këto gjëra, ne nuk e kemi një reagim të tillë për të dëmtuar dikë, por për të paraqitur mendimin tonë objektiv dhe konstruktiv”, u shpreh Meta.

“Tash të shohim se cilat janë kërkesat e strukturës së GUXO-s, nëse paraqitet një kërkesë e tillë atëherë ne mund ti ndërrojmë, por unë nuk jam që të shkojmë në forma të tilla radikale, por që ata kanë devijuar nga rruga kjo është mëse e dukshme”, tha Meta.

Kategoritë
LajmeVendi