Deklarata e shefit të KOSTT-it, Gashi: Tallje me qytetarët, një pjesë e fshatrave janë gati 24-orë pa rrymë

Kujtim Gashi, nënkryetar i Prizrenit në lidhje të drejtpërdrejt në FRONTAL në T7, ka deklaruar se situata me rrymë në këtë komunë është shumë e rëndë

Ai ka thënë se një pjesë e fshatrave në Prizren janë në kolaps me rrymë, dhe se edhe kur vjen, energjia është e dobët dhe është shumë shkurt.

‘‘Herë pas herë ka rrymë. Faktikisht një pjesë e madhe e lagjeve të Prizrenit dhe një pjesë e fshatrave, sidomos pjesa e fshatrave të Drinit është në kolaps vërtetë tashmë e një javë. Edhe kur vjen është shumë e dobët dhe shumë e shkurt’’, ka thënë ai.

Po ashtu ai ka thënë se ky është momentum i keq duke pasur parasysh që jemi në kohë dimri dhe afër festave.

‘‘Tu e pas parasysh që jemi në prag të vitit të ri, dhe që është ftohtë është një momentum shumë i keq. Sepse shumica e këtyre lagjeve e kanë shfrytëzua rrymën edhe për nxemje’’, ka shtuar ai.

Tutje, i njëjti ka komentuar edhe deklaratën e drejtorit të KOSTT-it, Evetar Zeqiri, duke e cilësuar të njëjtën si tallje.

‘‘Realisht kjo është një tallje, në kuadër të deklaratave të pamatura. Ju e dini që në qeveritë e kaluara mungesa e energjisë elektrike ka qenë diçka e tejkalume. Dhe sot pas kësaj periudhe, as përgjegjësi nuk ka, por kemi raste të tilla të talljes me qytetarë. Qytetarët janë duke e pësuar, sidomos diaspora, e cila jo veç që është e zhgënjyer, por mendojnë edhe si të kthehen para festave në vendet e tyre, sepse nuk ka zgjidhje. Tash e 5 ditë një pjesë e madhe e fshatrave, janë pothuajse 24 orë pa energji elektrike në këtë mot të ftohtë në prag të festave’’, ka shtuar ai mes tjerash.

Kategoritë
LajmeVendi