Delegacione të shumta nga BeH, Evropa dhe bota bënë homazhe për viktimat e gjenocidit në Srebrenicë

Në Srebrenicë morën pjesë delegacione të shumta nga rajoni, Evropa dhe bota, të cilët vendosën lule dhe nderuan viktimat e varrosura në Qendrën Përkujtimore në Potoçari.

Në përkujtimin e sotëm të 27-vjetorit të gjenocidit ndaj boshnjakëve në Srebrenicë morën pjesë delegacione të shumta nga rajoni, Evropa dhe bota, të cilët vendosën lule dhe nderuan viktimat e varrosura në Qendrën Përkujtimore në Potoçari të Bosnjë e Hercegovinës, raporton Anadolu. Agjencia (AA).

Lule vendosën kryesuesi i Presidencës së BeH-së, Shefik Xhaferoviq, anëtari i Presidencës, Zheljko Komshiq, nënkryetari i Dhomës së Popullit PSBiH, Bakir Izetbegoviç dhe zyrtarë të tjerë nga BeH.

Lule vendosi edhe një delegacion nga Republika e Türkiye-s i kryesuar nga Numan Kurtulmuş, nënkryetar i AK Partisë dhe deputet në Asamblenë e Madhe Kombëtare të Türkiye-s, Refik Ozen, kryetar i grupit të miqësisë ndërparlamentare BeH- Türkiye dhe deputet në Asamblenë e Madhe Kombëtare të Türkiye-s, Ahmet Mishbah Demircan, zëvendësministër i Kulturës dhe i Turizmit të Türkiye-s dhe Fatih Şahin, sekretar i përgjithshëm i AK Partisë.

Delegacionin nga Mali i Zi e kryesonte kryeministri Dritan Abazoviq, ndërsa nga Gjermania Aydan Ozoguz, nënkryetar i Bundestagut, si dhe deputeti i Bundestagut Adis Ahmetoviq.

Delegacioni holandez udhëhiqet nga ministrja e Mbrojtjes, Kajsa Ollongren.

Ndërkohë, sot 50 viktimat e gjenocidit do të dërgohen në prehjen e tyre të përjetshme. Arkivolet mbërritën në Potoçari të premten, kur familjet dhe qytetarët të përlotur iu dhanë lamtumirën me të dashurve të tyre.

Viktima më e re që do të varroset këtë vit është Salim Mustafiq, i lindur në vitin 1979 në Tokoljaci afër Srebrenicës. Ai ishte 16-vjeç kur u vra në verën e vitit 1995. Eshtrat e tij u zhvarrosën nga varri masiv i Lipjes pranë Zvornikut në vitin 2006.

Këtë vit do të varrosen edhe dy të mitur të cilët në momentin e vdekjes ishin vetëm 17 vjeç, Vahid Smajloviq (1978) dhe Elvir Muminoviq (1978).

Viktima më e vjetër që do të varroset këtë vit është Husejin Krdzhiq, i lindur në vitin 1936.

Në varrezat e Qendrës Përkujtimore të Srebrenicës – Potoçari, janë varrosur 6.671 viktima të gjenocidit të kryer nga Ushtria e atëhershme e Republikës Srpska nën komandën e kriminelit të luftës Ratko Mlladiq kundër boshnjakëve në vitin 1995 në Srebrenicë.

Kategoritë
LajmeRajoni