Kandidati për deputet nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Arton Demhasaj, ka kritikuar Albin Kurtin për përpjekjet për të sulmuar Ramush Haradinajn dhe për t’i dhënë një goditje figurave të çlirimit të Kosovës.
Demhasaj tha se Kurti ka targetuar Haradinajn, duke përdorur një gjuhë të papërshtatshme dhe duke tentuar të minojë trashëgiminë politike të ish-drejtuesve të UÇK-së.
Ai theksoi se Haradinaj dhe aleatët e tij janë një pengesë për planet e Kurtit dhe se ky i fundit nuk do të arrijë të realizojë projektet e tij.
Albin Kurti është fiksuar pas Ramush Haradinajt dhe e ka targetuar atë, duke shndërruar një fushatë zgjedhore të zakonshme në një ambient me një gjuhë parapolitike që nuk ka as filtra, as standarde. A mund ta hamendësoni pse? Ndërkohë që disa pjesëtarë kryesorë të çlirimit dhe pavarësisë janë duke u përballur në Hagë me një proces gjyqësor të padrejtë, Ramushi është në Kosovë. Çfarë ka mbetur nga trashëgimia aktive politike e ish-drejtuesve të UÇK-së, sot graviton te Ramushi dhe aleatët e tij. Atë që po bën Haga formalisht, Albin Kurti po përpiqet ta realizojë politikisht, duke targetuar një çlirimtar dhe duke u munduar t’i japë edhe një goditje atyre që lirinë e Kosovës e kanë paguar shtrenjtë, dhe për të cilën Kosovë nuk lëkundën dhe nuk nënshtrohen. Pikërisht Ramushi dhe profili i tij janë pengesë për projektet që Albin Kurti t’i shtrojë kthetrat mbi tërë Kosovën. Nuk do t’ia arrijë. Diktati i tij shtrihet vetëm aty ku i shitet, deri më 9 shkurt.