Kongresistja demokrate Rashida Tlaib fitoi të martën kundër rivales së saj republikane në zgjedhjet për distriktin e 12-të të Kongresit në Michigan, duke siguruar mandatin e katërt si e vetmja grua palestinezo-amerikane në Kongresin e SHBA-së. Associated Press shpalli fitoren e Tlaib-it në garë pas vetëm 18 për qind të votave të numëruara. Tlaib mori 77 për qind të votave, duke mundur James Hooper-in e Partisë Republikane, i cili mori vetëm 19 për qind të votave.
Fitorja e saj vjen në sfondin e luftës izraelite kundër Gazës, në të cilën deri më tani janë vrarë më shumë se 43,000 palestinezë, dhe që është mbështetur diplomatikisht dhe ushtarakisht nga administrata Biden-Harris për më shumë se një vit.
Tlaib ka qenë kritike e zëshme e luftës, duke kërkuar nga SHBA-ja që t’i ndalojë armët për Izraelin. Kundërshtimi i saj ndaj luftës në Gaza dhe mbështetja e demonstratave propalestineze në kampuset universitare kanë shkaktuar kritika të ashpra nga republikanët dhe demokratët.
Në ditët para zgjedhjeve në nëntor, Tlaib refuzoi të mbështeste nënpresidenten dhe kandidaten demokrate Kamala Harris për presidente të SHBA-së, por gjithsesi i bëri thirrje amerikanëve që të dilnin në votime dhe të votonin.
Në qershor, prokurorja e përgjithshme e Michiganit, Dana Nessel, akuzoi Tlaib-in për antisemitizëm, duke pretenduar se kongresistja palestinezo-amerikane kishte thënë se Nessel kishte shënjestruar demonstratat propalestineze në Universitetin e Michiganit sepse është hebreje.
Tlaib nuk ka bërë kurrë komente të tilla, gjë që është verifikuar nga media dhe burime të ndryshme.
Që kur u zgjodh për herë të parë në Dhomën e Përfaqësuesve në 2018, Tlaib ka fituar shpejt rëndësi kombëtare, duke u bërë një nga dy myslimanet e para në Kongres.
Ajo ishte një kritike e hapur e presidentit Donald Trump gjatë mandatit të tij dhe u bë një objektiv i sulmeve të shpeshta të krahut të djathtë, përfshirë edhe vetë presidentin.
Që nga fillimi i luftës izraelite kundër Gazës në tetor të vitit 2023, Tlaib ka kritikuar mbështetjen amerikane për luftën, shpesh duke shkaktuar zemërimin e kolegëve të saj nga të dyja anët e politikës.
Në nëntor 2023, Dhoma e Përfaqësuesve votoi për censurimin e Tlaib-it, duke miratuar një masë që e akuzonte atë për “promovimin e narrativave të rreme lidhur me sulmin e Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023 dhe për thirrje për shkatërrimin e shtetit të Izraelit.”