Departamenti i Gruas pranë Këshillit të Bashkësisë Islame në Malishevë organizoi një program të veçantë për nder të Festave të Nëntorit

Departamenti i Gruas pranë Këshillit të Bashkësisë Islame në Malishevë organizoi një program të veçantë për nder të Festave të Nëntorit, duke e kthyer këtë ditë në një moment të veçantë për bashkëpunim, reflektim dhe frymëzim.

Të pranishmit u përshëndetën nga udhëheqja e Departamentit të Gruas në Malishevë, znj. Elmunveere Paqarizi, e cila shprehu falënderime për pjesëmarrësit dhe theksoi rëndësinë e përkujtimit të këtyre ditëve me dinjitet dhe përkushtim.

Gjithashtu ajo falënderoi të gjitha nënat për bashkëpunimin e tyre me të gjitha mësueset e mësim-besimit duke theksuar se: “Ju po na sillni fëmijtë tuaj si argjendë, ne do të mundohemi t’jua kthejmë si ar!”

Po ashtu, një fjalë rasti pati edhe udhëheqësja e Departamentit të Gruas pranë Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, znj. Vaxhide Podvorica-Bunjaku, e cila vlerësoi organizimin dhe përgëzoi të gjitha gratë për përkushtimin e tyre ndaj ruajtjes së vlerave kombëtare dhe shpirtërore.

Programi nisi me këndim të Kur’anit Famëlartë, duke krijuar një atmosferë shpirtërore dhe të përmbushur me bekime. Më pas, të pranishmit patën rastin të shijojnë pika artistike, përfshirë ilahi të përzgjedhura, një monolog prekës dhe performanca që pasqyronin dashurinë për kombin dhe besimin.
Krejt këto pika artistike u interpretuan nga nxënësit e mësim-besimit të xhamive të komunës sonë!

Një moment kyç i programit ishte ligjërata e avokates Rovena Tujani Klinaku, e cila trajtoi me thellësi dhe profesionalizëm rëndësinë historike dhe shpirtërore të Festave të Nëntorit. Fjalët e saj frymëzuese lanë mbresa të thella te të gjithë të pranishmit, duke theksuar vlerat e larta që na bashkojnë si komb dhe komunitet.

Ky aktivitet, që bashkoi shpirtëroren me artistiken, ishte një shembull i bukur i përpjekjeve të përbashkëta për të ndriçuar rolin e grave në ruajtjen e traditave tona fetare dhe kombëtare.

Kategoritë
LajmeVendi