Megjithëse ende nuk i kanë numrat e nevojshëm për formimin e institucioneve, nga partia e cila ka dalë e para në zgjedhjet e 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje, shprehen të bindur se ‘Qeveria Kurti 3’ do të formohet.
Kështu të paktën ka deklaruar për “Gazeta Blic”, deputeti i këtij subjekti politik, Mefail Bajqinovci.
“Qeveria Kurti 3 do të formohet” tha shkurt Bajqinovci por pa dhënë detaje si do t’i sigurojnë votat, pavarësisht insistimit të “Gazeta Blic”.
Edhe deputetët e tjerë nga ky subjekt politik janë shprehur të bindur se Albin Kurti do të arrij t’i formojë institucionet.
Kështu u shprehën disa prej tyre, dy ditë më parë, kur u regjistruan në Kuvend.
“Patjetër që po, sipas Kushtetutës, me vota të deputetëve të Kuvendit. Për të gjitha këto (koalicionet me parti të tjera), edhe siç thashë më herët është çështje e subjektit, pra Vetëvendosjes. Patjetër që do t’i kemi votat. 61 vota i kërkon Kushtetuta, por sa më shumë sa më mirë” deklaroi Hekuran Murati, aktualisht Ministër në detyrë i Finacave.
“Unë po shpresoj që do ta bëjmë edhe pa PDK, e kryeministër do të jetë Albin Kurti dhe krye parlamentar Glauk Konjufca. Me vota, 63 vota, qeto 63 vota bëhen prej deputetëve. Prej atyre që janë përgjegjës për shtetin e Republikës së Kosovës” ka deklaruar deputeti, Halil Thaqi.
“Numrat janë të deputetëve, 61 e më shumë dhe mendoj se do të bëhet me deputetë të Republikës së Kosovës…me deputet të Republikës së Kosovës. Ai është mendim i tyre, ne e dimë që i kemi numrat dhe do t’i bëjmë me deputetë të Republikës së Kosovës” ka deklaruar deputeti, Agim Bahtiri.
Por ndryshe nga deputetët, më skeptik u pa të ishte nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca.
Ai deklaroi se qëllimi i Vetëvendosjes ka qenë që ta bëjnë qeverinë e vetme, por se tani nuk është e mundhsme.
“E kemi pasur qëllimin t’i arrijmë 500 mijë vota, nuk i kemi arritur ato. Tani është skenari B dhe ju pyesni se përse ne në kuadër të skenarit B, i kemi drejtuar letër një partie opozitare. Është rasti më normal i mundshëm në demokraci. Nuk ka ndonjë kontradiktë këtu, sepse, ne nga fillimi kemi thënë, qëllimi është ta bëjmë vetëm Qeverinë, a është e mundshme kjo, mua nuk po më duket e mundshme. Vetëvendosja e ka pas pozicionin transparent gjatë zgjedhjeve. Kemi thënë se qëllimi im ka qenë me vazhdu një qeverisje siç e kemi, mundësisht pa partitë tjera opozitare e pastaj e merr rezultatin e zgjedhjeve edhe e sheh që nuk e ke mbërri atë qëllim. Kjo është demokracia. E ke pas një qëllim dhe nuk ke mbërritur atë. E pastaj e modifikon rrugës. S’është mëkat kjo demokraci. E vendos një qëllim – nuk e kemi arritur. S’i kemi arritur qëllimet dhe tash jemi në skenarin B. Është rasti më normal i mundshëm. Kemi thënë qëllimi është ta bëjmë të vetëm qeverinë. A është e mundshme kjo? Mua nuk po më duket e mundshme”, ka thënë Konjufca, dy ditë më parë, raporton “Gazeta Blic”.
Se a i kanë votat e nevojshme prej 61, për formimin e Qeverisë, mbetet të shihet në ditët në vijim.