Deputeti i VV-së për zgjedhjet e brendshme: Ka tendencë eliminimi të njerëzve që kanë dhënë kontribut

Dy ditë më parë, Lëvizja Vetëvendosje, mbajti zgjedhjet e brendshme ku u votua për kryetarin, kryetaren e gruas si dhe strukturat tjera të kësaj partie.

Si për udhëheqës të partisë ashtu edhe për udhëheqëse të forumit të gruas, kandidatë të vetëm ishin Albin Kurti dhe Albulena Haxhiu, shkruan lajmi.net.

Rreth këtij procesi zgjedhor u shfaqën shumë zëra kritikë, nga brenda vetë LVV-së. Njëri nga ta, është edhe Visar Korenica, deputet në parlamentin e Kosovës.

Korenica pas procesit, në një deklarim të tijin, ka thënë se brenda kësaj partie ekziston një tendencë për kontroll.

I kontaktuar nga lajmi.net dhe i pyetur nëse ky deklarim i tij lidhet direkt me procesin zgjedhor brenda VV-së dhe nëse kjo tendencë vjen nga figura të rëndësishme nga qendra e partisë, Korenica u përgjigj duke i pohuar këto deklarata dhe duke shtuar se, kjo është një lloje eliminimi i njerëzve që kanë dhënë kontribut të çmueshëm në LVV.

“Po, është një lloj si më thënë, eliminimi i njerëzve që kanë dhënë kontribut të çmueshëm në Lëvizje, për me ardh në shprehje njerëzit që kanë më shumë dëgjueshmëri në kuptimin klasik të fjalës”, ka thënë deputeti i VV-së.

Po ashtu, sa i përket emrave apo figurave të rëndësishme që po krijojnë këtë tendencë, deputeti u përgjigj duke thënë se, ai nuk mund të flasë me emra, porse e din saktësisht se ka të tillë dhe se çdo organizatë politike duhet të mos bëj veprime që ua pamundëson ushtrimin e të drejtës secilit anëtar për të dhënë më të mirën nga vetja.

“Unë besoj që brenda Lëvizjes ka njerëz që refuzojnë këtë lloj qasje ndaj qendrave, që i është bë në këtë proces zgjedhor. Me emra nuk mundem të flas, por e di saktësisht që ka. Ajo që duhet me pas kujdes çdo organizatë politike është që të mos bëj veprime që ua pamundëson ushtrimin apo të drejtën e secilit  anëtar për më dhënë më të mirën prej vetes”, ka vijuar Korenica.

Përveç këtyre, ai shtoi se, për disa procese edhe mund të mos ketë pajtim por se, nuk do të duhet të kishte, siç tha ai, “diktat” vetëm pse e kundërshton një formë apo një proces brendapartiak.

“Tash normalisht për disa procese mundemi mos me u pajtu e me qenë zë kritik. Sa gjejnë ato mbështetje varet prej formatit të forumit ku ti bënë pjesë. Për shembull, unë jam anëtar i Këshillit të Përgjithshëm, mundem me qenë kritik ndaj një çështje të caktuar, por si temë mundet mos me u mbështet prej Këshillit të Përgjithshëm. Por në të njëjtën kohë, nuk ish dashtë, le të themi, me pas diktat vetëm pse po e kundërshton një formë apo një proces brendapartiak”, përfundoi Korenica.

Përndryshe, përveç zëra të cilët kanë shfaqur pakënaqësi brenda VV-së, edhe njohës të ndryshëm të politikës, e kanë kritikuar këtë proces, duke thënë madje se shumë anëtarëve të kësaj partie u është mohuar e drejta për të kandiduar.

Kjo gjë, sipas këtyre njohësve, i dëmton proceset si dhe demokracinë brenda kësaj partie. /Lajmi.net/

Kategoritë
LajmeVendi