Deputeti serb kërkon që seanca konstituive e Parlamentit të Serbisë të mbahet në Kosovë

Deputeti serb Boshko Obradoviç, ka propozuar të hënën që seanca konstituive e Parlamentit të Serbisë të mbahet në Kosovë.

Lideri i lëvizjes djathtiste “Dveri”, kërkesën e ka bërë të hënën me shkrim, përcjell gazeta “Danas”.

Ai ka thënë se është çështje marrëveshjeje nëse do të mbahej në Graçanicë apo në Mitrovicë, por se sipas tij, e rëndësishme është të mbahet në, siç e ka quajtur ai, “Kosovë e Metohi”.

“Do të ishte gjithashtu një mundësi unike që të 250 deputetët të dislokohen në atë mënyrë që të vizitojnë të gjitha pjesët e Kosovës dhe Metohisë dhe të shohin drejtpërdrejt se si jetojnë serbët dhe qytetarët e tjerë të Serbisë në Kosovë dhe Metohi. Ata gjithashtu mund të vizitojnë një numër të madh të kishave, manastireve dhe monumenteve historike serbe, të cilat sigurisht do të mbuloheshin nga mediat vendase dhe ndërkombëtare me vëmendje të madhe”, tha Obradoviç.

Ai gjithashtu vlerësoi se Kuvendi i Serbisë me konstituimin e tij në Kosovë do të mund të “refuzonte publikisht” kërkesën e Parlamentit Evropian për njohjen e pavarësisë së Kosovës si dhe “të kërkonte që negociatat e mëtutjeshme për Kosovën të kthehen në Këshillin e Sigurimit të OKB-së”.

Zgjedhjet parlamentare në Serbi janë mbajtur më 3 prill, por ende nuk është krijuar as Qeveria.

Për hyrje të politikanëve serbë në Kosovë duhet të lëshohet leje e posaçme nga institucionet e Kosovës.

Kategoritë
LajmeRajoni