​Deri në 40 mijë përdorues të drogave në Kosovë, kryesisht grup moshat e reja

Numri i përdoruesve të drogave në Kosovë është rritur, ndërsa institucionet shëndetësore janë të kufizuara në trajtimin e këtyre rasteve. Sipas të dhënave të organizatave, janë deri në 40 mijë përdorues të drogave në vend, ndërsa i përkasin grup moshave të reja. Por shteti nuk e di numrin e saktë të përdoruesve të drogës.

Dr. Valdete Alidema-Serreqi- Kryetare e Asociacionit të Psikiatrëve të Kosovës, tha se drogat paraqesin një problem të madh social-mjekësor në tërë botën, e sipas saj, me këtë problem po ballafaqohet edhe Kosova.

“Sipas Zyrës së Kombeve të Bashkuara, për Drogën dhe Krimin, në vitin 2020 gati 275 milionë njerëz përdrën drogë, në mbarë botën, me 22 për qind më shumë nga viti 2010. Numri i përdoruesve të kanabisit u rrit me gati 18 për qind midis viteve 2010 dhe 2020. Në botë mendohet se prevalenca e përdorimit të drogave tek të rinjtë, krahasuar me popullatën e gjerë, është dy herë më e madhe, ndërsa kur bëhet fjalë për marihuanën ajo është tre herë më e madhe”, tha ajo.

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi tha se aktualisht, në Kosovë nuk ka vlerësime gjithëpërfshirëse apo të dhëna shumë përfaqësuese që flasin për numrin e saktë të përdoruesve të drogave, por nga ato të dhëna që janë prezantuar nga institucionet e shëndetësisë, ato të sigurisë dhe OJQ-të, që merren me ketë çështje, na tregojnë se përdorimi i drogës është rritur dhe se sipas tij, ky gjithashtu është një tregues epidemiologjik, që duhet marrë me shqetësim.

“Rreth 30.000-40.000 përdorues të drogave, sa vlerësohet se janë në Kosovë nga të gjitha komunitetet dhe grup-moshat e ndryshme, me dominim nga moshat e reja janë shumë për një vend të vogël siç jemi ne”, u shpreh ai.

Ai u shpreh se për të parandaluar dhe trajtuar këtë fenomen, është hartuar Strategjia kombëtare gjithëpërfshirëse, që është produkt i pjesëmarrjes së të gjitha institucioneve relevante, por, sipas tij, suksesi në implementimin e saj mund të arrihet vetëm me bashkëpunim dhe bashkërendim të përpjekjeve të të gjitha palëve vepruese.

“Përkushtimi i MSh-së për të ardhmen është në zhvillimin e Regjistrit për Semundje që barten përmes drogave si ato që përhapen me gjak dhe hepatiteve virale (përmes hulumtimeve), me theks të veçantë në parandalim, zvogëlimin e dëmit dhe trajtimin, respektivisht rehabilitimin. Këtu na duhet një koordinim multisektorial dhe bashkëpunim i ngushtë me Observatorin e drogave në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Ministrinë e Arsimit, dhe me organizatat e shoqërisë civile, sepse, problemi i drogave, nuk është një problem individual i qytetarëve, por një problem i tërë komunitetit dhe shtetit, dhe në këtë mënyrë edhe duhet ta trajtojmë”, tha mes tjerash Latifi.

Dr. Merita Berisha nga IKSHPK, tha se mbikëqyrja dhe kontrolli i narkomanise si dhe parandalimi i kësaj dukurie, kërkon angazhim multidisciplinar dhe multisektorial, kërkon shtrirje te masave dhe veprimeve përgjatë gjithë ciklit jetësor. Sipas saj, kjo kërkon të dhëna në kohë reale dhe rifunksionalizimin e regjistrit populativ te narkomanisë.

Gjithashtu, ajo u shpreh se IKSHPK shfrytëzon edhe aktivitetet tjera për ndërgjegjësim; si Ditën e Duhanit, pastaj takimet ne shkolla, kurrikulat, temat dhe hulumtimet tjera qe ndërlidhen, në mënyrë që sipas saj, të diskutohet edhe për narkomaninë.

Këshilltar i Kryeministrit, Dr. Jusuf Ulaj, lidhur me vetëdijesimin e qytetarëve në problemet që i shkakton droga, sipas tij rolin primar e kanë prindërit, e më pas institucionet përgjegjëse.

Prandaj, ai u shpreh se duhet të fokusohen në psikoedukimin, në identifikimin e hershëm, që më pas të fillojnë trajtimin e abuzuesve të drogave.

Dr. Samire Braina-Shefe e Repartit të RSV në Klinikën e Psikiatrisë, tha se në Kosovë ka një trend në rritje të përdorimit të drogave, sidomos në mesin e adoleshentëve.
Ajo tha se deri më tani, për vitin 2022, trajtim kanë ofruar 79 pacientë, ndërsa në vitin 2021 në periudhën e njëjtë, tha se trajtim kanë kërkuar 54 pacientë, gjë që sipas saj, paraqet një rritje të konsiderueshme të përdorueseve të drogave në Kosovë.

Safet Blakaj nga OJQ “Labyrinth”-u shpreh se bazuar në raportin e Shteteve të BE-së për drogat, situata është alarmante dhe e rrezikshme.

“Ky raport është shprehur me tri fjalë: “Gjithkush, Gjithçka dhe Gjithkund”, që paraqet përdorimin e drogave në masë të madhe”, tha ai. Ai, gjithashtu shprehu shqetësimin se kokaina po përpunohet në shtetet e BE-së, gjë që sipas tij, paraqet kërcënim të madh për vendin tonë.

Dr.Ajet Bunjaku- Shef i repartit IPFK, tha se në IPFK, momentalisht nga 24 pacientë të cilët janë nën masën e trajtimit të detyrushëm Psikiatrik me ndalim, 12 prej tyre kanë kryer dhunë në familje dhe sipas tij, 5 nga këta persona janë abuzues të drogave.

Ai u shpreh se është i domosdoshëm themelimi i një institucioni të specializuar për sëmundje të varësisë, në mënyrë që, sipas tij, këta persona të trajtoheshin në mënyrën më adekuate të mundshme. /Telegrafi/

Kategoritë
LajmeVendi