Detaje tjera lidhur me grabitjen e bankës në Bazhdarhane të Prizrenit

Filiali i një institucioni mikrofinanciar në Prizren është grabitur të premten pasdite. Sipas Policisë së Kosovës, grabitja është kryer nga një person i armatosur dhe i maskuar.

“Në ora 15:12 minuta, një punëtore e një institucioni mikrofinanciar ka raportuar në Polici se një person i maskuar dhe i armatosur ka hyrë në objekt dhe ka grabitur një shumë të konsiderueshme të parave”, ka thënë Shaqir Bytyqi, zëdhënës i Policisë rajonale të Prizrenit.

Sipas tij, bazuar në informatat fillestare dyshohet se grabitësi ka vepruar vetë dhe se në këmbë është larguar nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur.

“Policia është duke mbledhur dëshmi dhe prova dhe njësitë përkatëse janë në kërkim të personit të dyshuar”, ka njoftuar Bytyqi.

Sipas burimeve të TV Prizrenit shuma të cilën grabitësi ka arritur ta vjedhë arrinë afër 10.000 euro.

Kategoritë
LajmeVendi