Deti Baltik: Erëza të ruajtura mirë u gjetën në rrënojat e një anijeje që u mbyt 500 vjet më parë

Arkeologët pohojnë se gjetën erëza të ruajtura mirë – nga shafrani, kokrrat e piperit te xhenxhefili – në rrënojat e anijes Gribshund që u mbyt 500 vjet më parë, e cila i përkiste mbretit Hans si mbreti i atëhershëm i Danimarkës dhe Norvegjisë.

Në 1495, anija u mbyt në Detin Baltik, në brigjet e qytetit suedez Ronneby. Besohet se është fundosur pasi një zjarr shpërtheu në të ndërsa mbreti po shkonte për një takim politik në Suedi.

Zhytësit sportivë e gjetën rrënojat në vitet ’60 të shekullit të kaluar, dhe vitet e fundit ajo është eksploruar në mënyrë sporadike. Gjatë hetimeve të mëparshme, u gjetën objekte të mëdha, si skulptura druri, për të cilat ekuipazhi besonte se i mbronin nga aksidenti.

Hulumtimi, i udhëhequr nga arkeologu Brendan Foley nga Universiteti Lund i Suedisë, gjeti erëza që ishin nën baltë.

Baltiku është i çuditshëm – ka një nivel të ulët oksigjeni, temperaturë të ulët, kripësi të ulët, kështu që shumë gjëra organike ruhen mirë, gjë që nuk do të ishte rasti në asnjë oqean tjetër të botës. Por të gjesh erëza të tilla është mjaft e pazakontë. ”, tha Foley.

Erëzat ishin një simbol i statusit të lartë, sepse vetëm të pasurit mund të përballonin shafranin ose karafilin, të cilat importoheshin nga jashtë Evropës. Studiuesi i Universitetit të Lundit, Mikael Larsson, theksoi se ky është një zbulim unik arkeologjik, transmeton Reuters.

Kategoritë
Të ndryshme