Dhëndri i Jelcinit jep dorëheqje nga roli i tij si këshilltar i Vladimir Putinit

Valentin Yumashev, dhëndri i ish-udhëheqësit rus Boris Jelcin, i cili ndihmoi Vladimir Putinin të vinte në pushtet, ka hequr dorë nga roli i tij si këshilltar i Kremlinit, kanë thënë dy njerëz të afërt me Ymashev për Reuters.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, largimi i tij “shkëput” një nga lidhjet e fundit brenda administratës së Putinit me sundimin e Jelcinit, një periudhë e reformave liberale dhe e hapjes ruse ndaj Perëndimit.

Putin urdhëroi forcat e tij të armatosura të sulmonin Ukrainën më 24 shkurt në një pushtim që qeveritë perëndimore thonë se është një akt agresioni të pajustifikuar dhe që Moska e quan një “operacion special” të nevojshëm për të mbrojtur rusishtfolësit në Ukrainën lindore.

Në mars, Anatoly Chubais, një tjetër figurë e lartë e epokës së Jelcinit, la rolin e tij si i dërguar i posaçëm i Kremlinit.

Veç këtyre, ditë më parë një diplomat në misionin rus në Kombet e Bashkuara dha dorëheqjen për shkak të luftës.

Lyudmila Telen, zëvendësdrejtoresha e parë ekzekutive e Qendrës Presidenciale Boris Jelcin, një fondacion ku Yumashev është anëtar i bordit, i tha Reuters se Yumashev kishte hequr dorë nga roli i tij këshilltar në Kremlin në prill.

E pyetur se pse u largua nga roli, ajo tha: “Ishte iniciativa e tij”.

Nën Jelcinin, i cili ishte president rus nga viti 1991 deri në 1999, Yumashev shërbeu si këshilltar i Kremlinit dhe më vonë si shef i shtabit të Kremlinit. Ai është i martuar me vajzën e Jelcinit, Tatyana.

Kategoritë
BotaLajme