Dhjetëra kolonë izraelitë sulmojnë kompleksin e Xhamisë Al-Aksa

Policia izraelite siguroi kolonët gjatë hyrjes me forcë në Kudsin Lindor të pushtuar.

Dhjetëra kolonë izraelitë hynë me forcë në kompleksin e Xhamisë Al-Aksa në Kudsin Lindor të pushtuar gjatë festës hebraike të Pashkës, sipas dëshmitarëve okularë, raporton Anadolu.

Dëshmitarët okularë thanë se policia izraelite shoqëroi grupe kolonësh në oborrin e Al-Aksas përmes portës Mughrabi në murin perëndimor të xhamisë.

Forcat e policisë izraelite u vendosën në oborrin e xhamisë para inkursionit, ndërsa disa oficerë policie u ngjitën në çatinë e xhamisë Al-Kible.

Më herët, policia izraelite i pengoi palestinezët nën moshën 50-vjeç të hynin në Xhaminë Al-Aksa për të falur namazin, thanë dëshmitarët okularë për Anadolu.

Dhjetëra palestinezë e falën namazin e sabahut në rrugët që të çojnë në Xhaminë Al-Aksa pasi u penguan të hynin në oborr.

Të hënën, Departamenti i Vakëfit Islam në Kuds tha se 1.531 kolonë hynë me forcë në Xhaminë Al-Aksa në festën e Pashkës hebreje, e cila vazhdon deri më 12 prill.

Tensionet u përshkallëzuan në territoret palestineze pasi forcat izraelite sulmuan kompleksin e Xhamisë Al-Aksa në Kudsin Lindor duke larguar me forcë besimtarët javën e kaluar.

Sulmet izraelite në xhami çuan në lëshime të raketave nga Rripi i Gazës dhe Libani, ndërsa Izraeli u kundërpërgjigj me sulme ajrore.

Palestinezët akuzojnë Izraelin se po mundohet sistematikisht të judaizuar​​​​​​​ Kudsin Lindor, ku ndodhet Al-Aksa, dhe për të zhdukur identitetin e tij arab dhe islam.

Për muslimanët, Al-Aksa përfaqëson vendin e tretë më të shenjtë në botë. Hebrenjtë, nga ana e tyre, e quajnë këtë zonë Mali i Tempullit, duke pretenduar se në kohërat e lashta aty ndodheshin dy tempuj hebrenj.

Izraeli pushtoi Kudsin Lindor gjatë Luftës Arabo-Izraelite të vitit 1967. Më pas aneksoi të gjithë qytetin në vitin 1980 në një lëvizje që nuk u njoh kurrë nga komuniteti ndërkombëtar.

Kategoritë
BotaLajme