Njerëz nga pothuajse 80 vende u mblodhën në kryeqytetin libanez, Bejrut, për t’i dhënë lamtumirën liderëve të vrarë të Hezbollahut, Sayyed Hassan Nasrallah dhe Sayyed Hashem Safieddine. Nasrallah dhe Safieddine u vranë gjatë sulmeve ajrore izraelite.
Ceremonia u mbajt në stadiumin Camille Chamoun Sports City, ku dhjetëra mijëra të pikëlluar u mblodhën për të nderuar për herë të fundit liderët e vrarë.
Ndërsa arkivolët e dy liderëve hynin në stadium, turma shpërtheu me thirrje besnikërie: “Labbayka Ya Nasrallah” (Në shërbimin tënd, Nasrallah), “Qëndrojmë besnikë ndaj betimit, Nasrallah” dhe “Poshtërimi është larg nesh”.
Gjatë ceremonisë, forcat ajrore izraelite shkelën sovranitetin dhe hapësirën ajrore të Libanit, duke fluturuar avionë luftarakë në lartësi jashtëzakonisht të ulëta mbi kryeqytetin libanez. Zhurma e motorëve u pasua me skandime të pranishmëve në shenjë mbështetjeje për liderin e vrarë.
Ceremonitë mortore filluan në orën 13:00 në stadium dhe më pas vazhduan drejt vendit të varrimit të Sayyed Nasrallahut në periferi të lagjes jugore të Bejrutit. Ndërkohë, Sayyed Safieddine pritet të varroset të hënën në vendlindjen e tij, Deir Qanoun Al-Nahr, në jug të Libanit.
Ministri i Mbrojtjes së Izraelit, Israel Katz, konfirmoi se avionët luftarakë izraelitë fluturuan mbi ceremoninë mortore të liderit të Hezbollahut, Hassan Nasrallah, në kryeqytetin libanez.
“Avionët e forcave ajrore izraelite që po fluturojnë aktualisht mbi Bejrut, mbi funeralin e Hassan Nasrallahut, dërgojnë një mesazh të qartë: Ata që kërcënojnë të shkatërrojnë Izraelin dhe të sulmojnë Izraelin, ky do të jetë fundi i tyre. Ju do të specializoheni në varrime, ndërsa ne në fitore,” deklaroi Katz.