Dhjetëra të arrestuar në operacionet antimafia në të gjithë Evropën

Raportohet se rreth 100 të dyshuar janë kapur në operacionet në shkallë të gjerë kundër grupit mafioz Ndrangheta

Dhjetëra njerëz janë arrestuar në një seri bastisjesh të koordinuara në të gjithë Evropën kundër organizatës kriminale Ndrangheta, raportuan mediat gjermane, transmeton Anadolu.

Qindra efektivë policie morën pjesë në operacionet në shkallë të gjerë në gjashtë vende të BE-së, përfshirë Gjermaninë, Italinë, Francën dhe Belgjikën, njoftoi transmetuesi publik ARD, duke cituar burime të sigurisë.

Sipas burimeve, operacioni me emrin e koduar “Eureka”, është operacioni më i madh ndërkombëtar i policisë deri më tani kundër grupit mafioz Ndrangheta, baza e të cilit është në Italinë jugore.

Policia deri më tani ka arrestuar rreth 100 anëtarë të mafias dhe mbështetës të tyre, të cilët ishin të përfshirë në trafik droge, tregti të paligjshme armësh dhe pastrim parash.

Grupi mafioz Ndrangheta besohet se ka kontrabanduar sasi të mëdha kokaine nga Amerika e Jugut në Evropë, kryesisht duke përdorur portet e mëdha komerciale në Belgjikë dhe Holandë.

Rrjeti i pastrimit të parave të grupit operonte kryesisht nga Gjermania, Belgjika dhe Portugalia dhe investonte në restorante dhe pasuri të paluajtshme në disa vende, sipas hetuesve.

Kategoritë
BotaLajme