Dhoma e nënës nga Gjakova që humbi bashkëshortin dhe katër djemtë nga lufta hapet si ekspozitë në Prishtinë

Gjatë kësaj jave, dhoma e ndejës e familjes Qerkezi u hap si ekspozitë në Prishtinë me autor Artan Korenica, mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe e Sportit

Dhoma origjinale e ndejës së shtëpisë Qerkezi nga Gjakova është lëvizur për herë të parë në Prishtinë, aty ku në Muzeun Etnologjik të Kosovës është kthyer përkohësisht në një ekspozitë të hapur për qytetarët, raporton Anadolu.

Gjashtë karrike dhe një tavolinë mbi të cilën qëndrojnë gjashtë racione ushqimi dhe gjashtë lugë, pret në heshtje “shurdhuese” anëtarët e familjes të cilët mungojnë që nga lufta e vitit 1999 dhe fati i të cilëve ende nuk dihet.

Anash tavolinës kanë zënë vend këpucë dhe atlete të bashkëshortit dhe djemve të nënës gjakovare Ferdonije Qerkezi, e cila nuk di për fatin e bashkëshortit dhe katër djemve të saj që nga 27 marsi i vitit 1999.

Gjatë kësaj jave, dhoma e ndejës e familjes Qerkezi u hap si ekspozitë me autor Artan Korenica, mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe e Sportit.

Bashkë me ekspozitën e cila do të qëndrojë e hapur deri më 22 mars, po shfaqet edhe filmi mbi jetën e Ferdonije Qerkezit me titull “Tavolina”. Në premierën e filmit, i pranishëm ishte edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministrin e Kulturës, Hajrulla Çeku.

Për fatin e bashkëshortit të Ferdonijes, Halim Qerkezi, si dhe katër djemve të tyre: Artanit, Armendit, Ardianit dhe Edmondit nga Gjakova, nuk dihet asgjë për pothuajse 24 vjet.

Pas rrëmbimit të tyre, një serb me emrin Dragan i ishte afruar Ferdonije Qerkezit duke i thënë se ai ishte personi që i kishte përcjellë bashkëshortin dhe djemtë e saj deri në stacionin policor në Gjakovë, por, më pas kishte deklaruar se “nuk e dinte çfarë kishte ndodhur me ta”.

Në Kosovë vazhdon të mos dihet ende fati i mbi 1.600 të pagjeturve që nga lufta e fundit.

Kategoritë
LajmeVendi