Grekët e vjetër besonin se e vërteta zbulohet përmes bisedimit (dialogos). Urtësia, thoshin ata, është komunikimi i ndërsjellë. Nga grekët bota mësoi dialogun, ndërsa nga romakët retorikën. Të parët hynë në histori me Urtësi (fryti i dialogut) të dytët u njohën me Të Drejtën (fuqia e retorikës).
Shkruan: Mustafë Bajrami
Dialogu është bisedimi përtej vetëm të folurit. Ai i bënë mirë njeriut, sikur loja me lodra që ushqen shpirtin e fëmijës. Sokrati tërë jetën e kishte kaluar duke biseduar. Sipas tij, edhe të menduarit është një lloj dialogu me vetveten. Dialogu është Hominem Quaero, thoshte ai. Të jesh njeri, do të thotë të dialogosh me tjetrin. Njeriu nuk është qenie që vetëm flet, por edhe që bisedon. Që zhvillon dialog.
Ka dallime substanciale mes të folurit dhe të biseduarit nëpërmes dialogut. Të flasësh do të thotë të jesh vetëm ti, ndërsa kur bisedohet, pranohet edhe tjetri.
Njerëzit jo gjithmonë e kanë çmuar sa duhet krijimin e urave mes tyre. Ura të forta krijohen duke biseduar. Jo duke folur shumë, por pikërisht duke dialoguar. Njeriu që vetëm flet, nuk ka shumë për të dhënë, sikur që, kur dëgjon vetëm vetveten, nuk ka mundësi t’i dëgjojë edhe të tjerët. T’i dëgjosh edhe të tjerët, donë të thotë se ti di të bisedosh, të komunikosh e të dialogosh me të tjerët. E tërë jeta është luftë për veshin e huaj, thoshte Kundera. Andaj, nëse është e vërtetë se “muret kanë veshë”, thoshte ai, atëherë është e vërtetë se edhe “veshët kanë mure”. Dialogu më i mirë është pa ndërmjetësime. Sa më shumë që ka ndërmjetësues aq më larg janë palët mes vete.
Numri kaq i madh i institucioneve, shoqatave, organizatave dhe të tjerave që themelohen ditë e më shumë, në realitet tregon mungesën e vullnetit për dialog, i cili do të prodhonte afërsi dhe dashuri të ndërsjellë mes njerëzve. Njerëzit ditë e më shumë janë në kërkim të vërtetës të cilën zor se po e gjejnë. Në skenë janë anti-vlerat, ndaj kërkohet ndihma e institucioneve që në fakt ato nuk prodhojnë dashuri.
Por, cilat janë shkaqet dhe motivet që pengojnë dialogun mes njerëzve?
Thamë: Dialogu nuk bëhet vetëm duke folur. Në dialog dëgjohet mendimi tjetër. Përvojat e gjata në jetë i bëjnë njerëzit të gatshëm të dëgjojë më shumë se ata me përvoja të pakta. Edhe niveli intelektual luan rol të rëndësishëm në mënyrën se si bisedohet e si dialogohet. Ibn Halduni kishte nënvizuar se njeriu me përvojë dëgjon më shumë sesa flet. Personi i gatshëm për dialog dallon shumë nga tjetri që refuzon dialogun. Ky i fundit thuajse është asgjë. Me dialog zbutet bindja e gabueshme se vetëm njëri ka të drejtë. Dialogu jep mundësinë e vlerësimit të tjetrit, krijon mundësinë e qasjes kritike ndaj çështjes së shtruar. Ai është fillimi i përfundimit të besimit të çoroditur se pala tjetër nuk ka të drejtë.
Gjallëria e një njeriu matet në bazë të gatishmërisë së tij për të biseduar me të tjerët. Tekefundit, dialogu pa rezultate është më i mirë se rezultati pa dialog. Ç’është e vërteta, pyetjet e parashtruara në dialog janë esenca e dialogut e jo përgjigjet e dhëna aty. Liria e të pyeturit është themeli i mendimit të lirë. Është fryma e cila e bënë njeriun të krenohet pse është pjesë e shoqërisë ky pyetet lirshëm dhe lirshëm shtrohen çështjet.
Pyetjet i lidhin njerëzit mes vete. Pyetjet e shtruara në dialog janë ato që njerëzit i bashkojnë, ndërsa përgjigjet janë ato që mund t’i ndajnë. Pyetja “jote” së bashku me pyetjen “time” krijojnë pyetjet “tona”. Pyetjet janë më të ngrohta se përgjigjet. Ajo që mbetet dhe nuk ndryshon është pyetja, jo përgjigjja. Kur largojmë mënjanë përgjigjet, të freskëta mbeten vetëm pyetjet, sepse ato jemi “ne”.
Dialogu pra është marrje-dhënie reciproke. Si i tillë, dialogu prodhon afërsi dhe dashuri. Dashuria e vërtetë është ajo kur ti jep dhe merr. E për të marrë, duhet edhe të japësh. Aty ku gënjehet, nuk ka dashuri. Dialogu krijon bazën e dashurisë mes njerëzve. Dashuria shtohet vetëm duke biseduar. Dialogu është mënyra për t’i bërë njerëzit të hapen ndaj njëri tjetrit. Mbyllja në vetvete është strofulli i djallit, dhe i diktatorit. Në fakt, ai i cili për ndonjë arsye mbyllet në vetvete, nëse dëshiron të jetë edhe më tutje njeri, duhet të bisedojë së paku me karakterin e tij të brendshëm. Ama, gjithsesi të bisedojë. Pa dialog njeriu është diçka tjetër, por jo më njeri. Nëpërmes “tjetrit” njeriu njeh vetveten ndërsa me ndihmën e të tjerëve tejkalon “vetëm vetveten”.
Nga rrafshi antologjik njeriu nuk është i përkryer, ndërsa nga rrafshi gnoseologjik, është i kufizuar. Berzhajevi mendonte se e vërteta është sikur jeta bashkëshortore; ajo (e vërteta), nuk është vetëm e njërës palë, por e të dyja palëve. Mendimi mbi veten korrigjohet me mendimin e tjetrit për ty. Dialogu mes njerëzve perfeksionon edhe atë që është “Unë” edhe atë që është “Ti”. Ai është mozaiku i të qenit “Ne”.
Vetëm njeriu që pretendon se njeh plotësisht të vërtetën nuk ka nevojë të bisedojë, dhe, me që nuk ka njerëz të tillë, të gjithë kanë nevojë të bisedojnë. Dialogu nuk duhet të bëhet me imponime, sepse imponimi shkel mbi integritetin e tjetrit. Njeriu është i prirë të jetë materialist më shumë se që i jep rëndësi vlerave të larta morale. Mohimi i të drejtës së tjetrit për të jetuar është krim i rëndë që i bëhet njeriut. Egoizmin nuk e duron as Zoti.
Dialog nuk mund të ketë as mes njerëzve që mendojnë njëjtë. Të qenit të njëjtë nuk ka kurrfarë kuptimi. Nëpërmes dialogut duhet kërkuar të vërtetën e jo fitoren ndaj tjetrit. Sikur që nuk është e vërtetë krejt çka them unë, nuk është gabim as krejt çka thua ti. Nëse ka njeri që krejt çka thotë është ashtu, atëherë pse të ekzistojnë të tjerët? Dialogu zhvillohet vetëm aty ku njerëzit mendojnë ndryshe. Të bisedohet me ata që mendojnë si ti, donë të thotë t’i flasësh me vetveten. Zhdukja e dallueshmërisë mes njerëzve është fillimi i vdekjes së shpirtit të shoqërisë.
Çka e rëndon dialogun?
Njeriu dogmatik nuk duron dallueshmërinë. Dogma pengon debatin dhe zhvillimin. Dogma është forma e brendshme e dhunës ndërsa dhuna është forma e jashtme e dogmës. Pushteti i Greqisë së vjetër pranoi mendimin gjenial të Sokratit, por vetëm deri aty ku ky i fundit preku dogmat helene. E kur i kritikoi ato, e helmuan për vdekje. Edhe në fe ekzistojnë dogmat. Të mira apo të këqija që janë, ato nuk lejojnë të preken. Nëse dikush merr guximin t’i interpretojë, ai njeri shpallet heretik dhe i dëshirohet vdekja. I kërkohet koka.
Dialogu i vërtetë nuk duron rregulla të stërngarkuara e as filozofi të stërgjatura. Mjafton sinqeriteti. Vetëm njerëzit me shpirt të pastër mund të bisedojnë e të kuptohen mes vete. Të tjerët veç flasin. “Ne mund të ekzistojmë kur unë dhe ti puqemi diku, për të biseduar”, thoshte M. Buber.
Në dialog askush nuk humb. Të gjithë mund të fitojnë. Përgjatë dialogut dalin gjëra të mrekullueshme. Aty zhvillohet një “sharing” i së vërtetës. Sa do që e vërteta, e bukura dhe e madhërishmja ndahen e shpërndahen mes njerëzve, ato kurrë nuk pakohen. Vlera e njeriut duhet të matet me shkallën e bashkë-ndarjes me të tjerët; sa më shumë që jemi të hapur ndaj njëri tjetrit aq më shumë i afrohemi Zotit dhe sa më shumë që largohemi nga njëri tjetri aq më larg i jemi Atij.
Dialogu është analizimi i vetvetes dhe metoda më e mirë për pranimin e tjetrit. Dialogu duhet të vlerësohet mbi bazën e interesave të përbashkëta të palëve në bisedime. Në një shoqëri ku flitet më shumë se që bëhet dialog, ku monologu zëvendëson bisedimin, aty nuk ka liri. Fati i asaj shoqërie mbetet në duart e fatit të kohës. E koha jo gjithherë është e treguar e mëshirshme ndaj njeriut. Në këtë gjendje duket se jemi ne shqiptarët. E nëse vazhdohet kështu, shqiptarët do ta kenë shumë të vështirë. Dialogu që nuk ka kuptimin e bashkëpunimit shndërrohet në imponim dhe si i tillë është fillimi i dhunës. Herodoti te “Historia” e tij kishte shkruar: “Askush nuk duhet të zgjedhë luftën para paqes. Në paqe fëmijët varrosin prindërit, ndërsa në luftë prindërit varrosin fëmijët”. Prandaj, sa më shumë që bisedohet, aq më pak dhunës i mbetet hapësirë.
Dialogu ndër shqiptarët
Dialogu është politika më e mirë e mundshme. Është imperativ i kohës të bisedojmë e të dialogojmë. Fillimisht shqiptarët mes vete. Jo vetëm ne në Kosovë, por në gjithë gjeografinë shqiptare. Duhet të lejohet zhvillimi i proceseve integruese për çështjet e hapura dhe të krijojmë marrëdhënie reciproke mes vete. Për tejkalimin e gjendjes në të cilën jemi, kudo në hapësirat shqiptare, para çdo gjëje tjetër duhet biseduar. Duhet komunikuar e dialoguar mes vete për temat e shtruara të cilat janë bërë pengesa serioze për të ardhmen tonë. Sepse, është fakt historik se kurrë nuk mund të kesh sukses në dialog me jashtë, nëse ke dështuar në dialog me brenda.
Dhe për fund, dialogu është formë e mirë e zbatimit praktik të principit të ko-ekzistencës. Ekzistimi i nocioneve dhe mendimeve ndryshe mes nesh, duhet të pranohet si pasuri diversiteti. Jo si shkas për bllokada të dëmshme. Diversiteti është i nevojshëm. Pa te progresi është i pamundur. Në kushtet e tanishme, nën këto rrethana kaq delikate, për bashkësinë shqiptare dialogu është mase i nevojshëm. Por jo lëshimi në interpretime të panevojshme se kush bëri më shumë, kush po bënë më shumë e kush bëri më pak e nuk bëri fare. Të gjithë kanë bërë aq sa kanë ditur dhe aq sa kanë mundur.
Dialogu sot është shumë i rëndësishëm edhe/dhe për shoqërinë kosovare. Në raport të ndërsjellë mes vete dhe në raport me fqinjët tanë. Natyrisht, duke pasur parasysh se dialogu do njerëz të përgatitur mirë për të dialoguar. Që e kuptojnë mirë e drejtë atë që e dëgjojnë, dhe që marrin erë nga ajo që fshihet pas asaj që e dëgjojnë. Që kanë sensin t’i “prekin” gjërat nga prapahijet e tyre. Në këtë rrafsh, njerëzit me përvoja dhe njohuri të çmueshme nuk duhet të lihen anash. Duhet vlerësuar përvoja dhe aftësia e tyre për të dialoguar. E nëse nuk veprohet kështu, ka për të mbetur shumëçka për tu dëshiruar.
Kësaj radhe e në këto kohë kaq të ndjeshme për kombin tonë e për Kosovën, ulja ballë për ballë e puna krah për krahu mes të gjithëve është imperativ kohe. Në të kundërtën, mos thëntë Zoti, prapë do të mbeten shumë gjëra për tu dëshiruar….!
Vërejtje: Qëndrimet e autorëve nga kjo rubrikë, nuk domethënë që përfaqësojnë në mënyrë automatike edhe qëndrimet e redaksisë. Megjithatë, njohja e këtyre qëndrimeve është në interes të lexuesve, prandaj edhe publikimi i tyre. Për rrjedhojë autorët mbajnë përgjegjësi të plotë për sa u përket qëndrimeve rreth çështjeve të shtjelluara në fjalë.