Diaspora dërgoi mbi 1 miliard euro në Kosovë gjatë pandemisë: Më së shumti nga Gjermania, Zvicra e Austria

Pandemia e virusit COVID-19 ka prekur ekonominë e të gjitha vendeve të botës, duke mos lënë anash këtu edhe Kosovën.

Që nga marsi i vitit 2020, humbjet financiare të shtetit kanë arritur miliona euro.

Në anën tjetër, qytetarët janë përballur me probleme edhe nga punëdhënësit, pasi që shumë prej tyre kanë mbetur të pa punë gjatë pandemisë.

Por, si duket ekonomitë familjare në Kosovë i kanë ndihmuar edhe dërgesat e parave nga bashkë-atdhetarët që gjenden jashtë vendit.

Në një përgjigje për lajmi.net, zëdhënësi i Bankës Qëndrore të Kosovës, Kushtrim Ahmeti, ka bërë të ditur vlerën e remitencave të dërguara në Kosovës gjatë vitit të parë të pandemisë.

“Vlera e përgjithshme e remitencave të dërguara në Kosovë gjatë periudhës mars 2020 – mars 2021 ishte 1 miliard e 97 mijë euro”, ka bërë të ditur Ahmeti.

Ai ka thënë se shumica e remitencave janë dërguar nga shtetet gjermano-folëse.

“Më së shumti dërgesa ka pasur nga Gjermania, Zvicra, Austria, të cilat janë përcjell nga Shtetet e Bashkuara e Amerikës dhe Franca”, ka thënë Ahmeti.

Kujtojmë se edhe Qeveria e kaluar e Kosovës por edhe ajo aktuale, janë munduar të ndihmojnë bizneset dhe qytetarët përmes Pakove Emergjente dhe atyre të Rimëkëmbjes Ekonomike.

Deri më tani është raportuar se sektori më i dëmtuar nga pandemia ka qenë sektori privat, ndërsa së fundmi Qeveria ka marrë vendim për lehtësimin e masave anti-COVID19, në mënyrë që të hapen aktivitetet e gastronomisë dhe të largohet ora policore.

Kategoritë
EkonomiLajme