Digjen dy kamionë në veri që ishin vendosur si barrikada

Pritet që serbët lokal sot të nisin largimin e kamionëve dhe makinerive të tjera të rënda të cilët që nga 10 dhjetori kanë bllokuar rrugët në veri të Kosovës.

Persona të panjohur gjatë natës kanë djegur dy kamionë në barrikadën në urën mbi lumin Ibër, në Komunën e Mitrovicës së Veriut.

Barrikada në urën që lidh qytetin e Mitrovicës me rrugën kryesore Mitrovicë-Leposaviq është vendosur dy ditë më parë, së bashku me barrikadën që u vendos në qytet, në Lagjen e Boshnjakëve afër Shkollës Teknike.

Heqja e barrikadës në Rudare afër Zveçanit, në rrugën kryesore Mitrovicë-Leposaviq, ende nuk ka filluar. Kjo barrikadë ishte ngritur 20 ditë më parë dhe ruhej nga serbët lokal.

Pritet që serbët lokal sot të nisin largimin e kamionëve dhe makinerive të tjera të rënda të cilët që nga 10 dhjetori kanë bllokuar rrugët në veri të Kosovës.

Vendimi për heqjen e barrikadave nga rrugët është marrë mbrëmë pas bisedimeve ndërmjet përfaqësuesve të serbëve të Kosovës dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të mbajtura në Rashkë, një qytet serb jo larg kufirit me Kosovën.

Vendimi për heqjen e barrikadave erdhi pasi Gjykata Themelore në Prishtinë dje, me kërkesë të Prokurorisë Speciale të Kosovës, e zëvendësoi masën e paraburgimit të ish-policit kosovar Dejan Pantiq me burgim shtëpiak për arsye shëndetësore dhe për mungesë kushtesh dhe të drejtat ligjore që i takojnë si i paraburgosur. Pantiq është transferuar në shtëpinë e tij mbrëmë.

Ai akuzohet për prishje të rendit kushtetues të Kosovës dhe akt terrorist për organizimin e sulmit ndaj zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës.

Siç ka thënë Vuçiq, ai ka marrë garanci nga Bashkimi Evropian (BE) dhe SHBA-ja se nuk ka lista të serbëve dhe se askush nuk do të ndiqet penalisht për barrikadat.

Në fillim të nëntorit, përfaqësuesit serbë u larguan nga të gjitha institucionet e Kosovës për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e detyrueshëm të automjeteve në targa RKS.

Ky vendim u shty për një kohë të pacaktuar për shkak të tensioneve të larta në veri të Kosovës dhe rrezikut të përshkallëzimit të situatës.

Kategoritë
LajmeVendi