Digjet vetura e nënkryetares serbe të Komunës së Leposaviqit

Në Komunën e Leposaviqit mbrëmjen e sotme është djegur vetura e nënkryetares së kësaj komune, Dragana Miletiq, e cila vjen nga komuniteti serb.

Nga Policia e Kosovës kanë bërë të ditur se hetimet për këtë rast janë duke u zhvilluar, por se rasti i njëjtë mund të ndërlidhet me çështjen e konvertimit të targave ilegale në ato “RKS”.

Vetura e tipit “Renault Clio” me targa legale “RKS” dhe regjistrim të rajonit verior të Kosovës “02” u përfshi nga zjarri kryesisht në pjesën përpara.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila shpërndau videon e veturës së djegur të nënkryetares Miletiq në rrjetet sociale, në reagimin e saj e quajti veprimin si “akt kriminal”.

“Djegia e veturës e cila i takon nënkryetares së Komunës së Leposaviqit, Dragana Miletiq, është akt kriminal që synon të përhapë frikë midis serbëve lokal dhe të pengojë integrimin e tyre në institucionet kosovare”, theksoi Osmani.

Osmani tha se kryerësit e krimit të këtij akti frikacak dhe të neveritshëm do të përballen me drejtësinë.

Në fillim të muajit qershor, një person ishte arrestuar nën dyshimin se pati kërcënuar Miletiqin, sipas njoftimit të ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Gjatë këtij viti, Miletiq kishte raportuar në polici se ishte kërcënuar. Në qershor të këtij viti, ministri Sveçla njoftoi se ishte arrestuar një person i cili kishte kërcënuar nënkryetaren Miletiq.

Kryetari i komunës së Leposaviqit nga 25 maji është Lulzim Hetemi, ndërsa në këtë kohë Dragana Miletiq u zgjodh nënkryetare e komunës.

Kategoritë
LajmeVendi