Ish-kancelarja gjermane, Angela Merkel mbështet një politikë më të ashpër migrimi që planifikon të zbatojë qeveria e ardhshme CDU/CSU dhe SPD.
Politikania e CDU-së, e cila gjatë krizës së migrantëve në vitin 2015 hapi kufijtë për më shumë se një milion azil-kërkues, tani në një intervistë për shërbimin publik Deutschlandfunk tha se, me disa ndryshime, edhe ajo ka ndjekur një politikë të ngjashme.
Sipas Merkel, ekzistojnë dallime në “diksion dhe ton” midis politikës së migracionit të qeverisë së saj të mëparshme dhe asaj që tani mbështet kancelari i ardhshëm, Friedrich Merz, por në thelb bëhet fjalë për të njëjtën gjë – “nëse shikohet me kujdes”.
Ajo argumentoi se edhe vetë ka mbështetur luftën kundër migracionit ilegal, ndëshkimin e trafikanëve dhe gjithashtu nuk ka dashur që migrantët të rrezikojnë jetën e tyre gjatë rrugës. Sipas mendimit të saj, është në rregull që, pas konsultimeve me fqinjët, të refuzohet hyrja e kërkuesve të azilit në kufirin gjerman.
“Çështja e migracionit nuk do të zgjidhet në kufirin gjermano-austriak, por idealisht në kufijtë e jashtëm të Evropës”, citoi Merkel shërbimi publik gjerman ARD në emisionin Tagesschau.
Merkel gjithashtu komentoi negociatat aktuale për formimin e qeverisë së re. Ajo tha se ishte e kënaqur me sa pak informacione nga negociatat midis CDU/CSU dhe SPD kishin dalë në publik.
Për Merzin, ajo tha se ai ka “vullnet absolut për pushtet”. “Ndër ne ka qëndruar fakti që të dy donim të ishim kreu”, tha Merkel duke u kujtuar për bashkëpunimin e mëparshëm politik me kolegun e saj të partisë.