Deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Donika Gërvalla, ka reaguar pas betimit të bërë si deputetë nga ata që fituan mandatin, duke e cilësuar miratimin e raportit si ‘’bllokadë’’ të shkaktuar sipas saj, nga ‘‘opozita’’.
Gërvalla ka thënë se të hënën vazhdohet me atë që ajo e ka cilësuar si ‘’betejën parimore’’ për konsolidimin e institucioneve.
Shteti nuk është i shantazhueshëm.
Sot e tejkaluam bllokadën e parë të opozitës dhe bëmë betimin si deputetë. Vazhdojmë të hënën betejën parimore dhe aspak të lehtë për konsolidimin e institucioneve të Republikës së Kosovës, të dala nga zgjedhjet e 9 shkurtit’’, ka shkruar ajo.
Ndryshe, opsionin e zgjedhjeve e kanë përmendur disa figura nga VV-ja, ku një nga ta është edhe z ëvendësministri në detyrë i Drejtësisë, Blerim Sallahu, i cili ka thënë se duhet që opozita të votojë kandidaten e VV-së për kryetare të Kuvendit, që pastaj i njëjti të shpërndahet e të shkohet në zgjedhje.
“Opozita më në fund ra në linja ligjore dhe kushtetuese për sa i përket votimit të raportit për verifikim të mandatave dhe kuorumit. Pra, ata kanë bërë sjellje jokushtetuese, e jo ne. Tash duhet opozita të votojë kandidaten për kryetare të Kuvendit, meqë edhe na takon sipas Kushtetutës dhe pas kësaj, duhet një pajtim i të gjitha partive politike në formë të shkruar në mënyrë që të shpërndahet Kuvendi dhe të shkojmë në zgjedhje. Kjo është ecje përmes shtratit kushtetues!”, ka shkruar Sallahu.
Tjetër figurë nga VV-ja, që tani është deputet, e që ka folur për zgjedhje, ka qenë edhe Hekuran Murati, i cili pak minuta para fillimit të seancës së tretë për konstituimin e Kuvendit, kishte thënë se e vetmja rrugëzgjidhje për të shmangur zgjedhjet e reja, është që deputetët që kanë votuar kundër raportit të japin dorëheqje dhe të zëvendësohen me deputetë të tjerë
“E vetmja rrugë tjetër për të evituar skenarin e zgjedhjeve të reja, është një dakordim unanim politik, ku vetëm deputetët që kanë refuzuar mandatin me votën e tyre, tërhiqen dhe ua lëshojnë vendin e tyre kolegëve tjerë nga i njëjti subjekt. Një gjë e ngjashme kishte ndodhur në legjislaturën që lamë pas me deputetët e Listës Serbe”, ka shkruar Murati.