Diplomacia shqiptare duhet të mësojë nga Murati

Vështrim për librin: “Bosnja: një pikëpamje nga Tirana” i autorit Shaban Murati.

Botoi “Alsar”, Tiranë 2019

Shkruan: Albinot Maloku

Krijimtaria publicistike e diplomatit dhe studiuesit të marrëdhënieve ndërkombëtare Shaban Murati, është mjaft e larmishme përveç se e bollshme për t’u konsideruar vlerë e shtuar e publicistikës shqiptare në rrafshin e studimeve të raporteve ndërshtetërore e rajonale.

Pavarësisht që ambasadori Murati ka një përvojë të gjatë e karrierë diplomatike të pashoq, ai përmes publicistikës së tij e njofton lexuesin me germa të mëdha se ka identitet dhe e di kush është! Ai nuk e duron ndjesinë e inferioritetit në asnjë kontekst a rrethanë. Publicistika e tij është thirrje njëzetekatërorëshe për Shqipërinë e Kosovën, që si shtete të punojnë për forcimin e tyre, por edhe për shqiptarët që jetojnë jashtë dhe të angazhohen për mirëqenien e kombit shqiptar.

Përmbledhja publicistike e diplomatit Murati, që kam marrë në shënjestër për t’i bërë një vështrim është: “Bosnja: një pikëpamje nga Tirana”. Jo veç nga interesi që kam për Bosnjë e Hercegovinën, i inspiruar që nga ditët e mia të studimeve në Sarajevë, por që ta lexoj këtë libër, ishte edhe dëshira për të parë se cila është kjo perspektivë e Tiranës për shtetin më të brishtë të rajonit; Bosnjë e Hercegovinën! Me të përfunduar leximin e librit dhe duke i kujtuar rrjedhat e ngjarjeve të fillimmajit të këtij viti, kur Kuvendi i Republikës së Shqipërisë refuzoi kërkesën e një deputeti për të shqyrtuar dhe mbështetur një rezolutë që dënon gjenocidin e kryer nga forcat serbe në Srebrenicë në vitin 1995; thash në vete pse nuk mësojnë këta deputet nga libri i diplomatit Shaban Murati. Në Srebrenicë e në Bosnjë e Hercegovinë ka ndodhur gjenocid dhe pikë. Këtë çështje është dashur qëmoti Kuvendi i Republikës së Shqipërisë ta di e zyrtarizojë përmes një rezolute, siç e ka bërë bota gjithandej.

Në përmbledhjen prej 38 analizash me titull “Bosnja: një pikëpamje nga Tirana”, autori Murati publikut shqiptar nuk i sjell veç informacion, por shtjellim perspektivash vendore, rajonale e ndërkombëtare sesi e çfarë po ndodh me shtetin e Bosnjë e Hercegovinës, për së paku më shumë se tre dekada. Më shumë se mjaftueshëm për të kuptuar edhe efektet e pozicionit politik e gjeopolitik të Sarajevës karshi Ballkanit, Evropës e më gjerë. Duke qenë se Republika e Shqipërisë e ka njohur Bosnjë e Hercegovinës që në vitin 1992, kur ajo u pavarësua si Republikë nga ish-Jugosllavia, është e pakuptim edhe për mua se si në vitin 2011, Tirana zyrtare i bëri pritje aq të pazakontë ish-delegacionit të Kuvendit Popullor të entitetit Republika Serbe të Bosnjë-Hercegovinës! Gjithmonë duke ditur që ky entitet u krijua mbi gjenocidin e Srebrenicës, pavarësisht se të njëjtin e njohu Marrëveshja e Dejtonit e vitit 1995, Tirana zyrtare si të ishte e painformuar për destruksionet që në vazhdimësi po i bënë ky entitet shtetit të Bosnjë-Hercegovinës, ajo u bë aq e kujdesshme në atë pritje. Diplomati Murati e shtjellon fort mirë këtë sjellje aspak të mirë.

Mungesën e korrektësisë së bashkësisë ndërkombëtare ndaj situatës e pozicionit të Bosnjë-Hercegovinës, diplomati Murati e shtjellon me mjaftë maturi. “Nëse fantazmat e Banja Llukës janë gjallëruar deri në shkallën që po e sfidojnë hapur edhe vetë Evropën, kjo të çon tek mendimi se Brukseli ka nevojë të rivlerësojë historinë se çfarë ka ndodhur dhe se çfarë mund të ndodhë në Ballkan”, shkruan autori. Bashkësia ndërkombëtare e posaçërisht Bashkimi Europian, ka treguar veç se mos unitet qëndrimesh në raport me Bosnjë e Hercegovinën dhe ajo është treguar dyfytyrëshe. Kurrë me seriozitetin e duhur nuk i është qasur kryesve të gjenocidit. Ekuilibrimi ka qenë politika që ka ndjekur. Gjithë fajtor!

Duke parë këtë qasje të Bashkimit Evropian dhe manovrave të entitetit Republika Serbe të BeH dhe Serbisë, diplomati Murati me të drejtë shpjegon se Moska ka bërë shumë lëvizje të përfitojë nga situatat. Vizitat e ish-kryeministrit të entitetit RS, tash anëtar i presidencës trepalëshe të Bosnjë-Hercegovinës, Millorad Dodik në Rusi, jo veçse i merr me shqetësim për stabilitetin e shtetit boshnjak, por edhe për rajonin si tërësi. Janë dy shpresa që i kanë ngelur Rusisë në Ballkan e që maksimalisht është duke i shfrytëzuar, pra Serbia dhe Republika Serbe e BeH. Nisur nga kjo, autori me çdo kusht tenton t’i ftojë në kujdes të gjithë akterët që kanë fuqi vendosëse për shtetin e Bosnjë-Hercegovinës.

Për ta përmbyllur këtë vështrim, pasi jemi në vigjilje të përkujtimit të 27 vjetorit të Gjenocidit të Srebrenicës, pra të gjenocidit të 11 korrikut, duhet patjetër që t’i referohemi autorit Shaban Murati e librit të tij “Bosnja: një pikëpamje nga Tirana”, ku ai thotë: “Ka edhe një arsye tjetër historike, pse Shqipëria duhet me shpejtësi të vendos të zbatojë vendimin e Parlamentit Evropian. Ajo ka një përvojë të hidhur nga qëndrimet dhe politikat e heshtjes ndaj gjenocidit që i kanë bërë disa fqinj popullit të saj. Kjo politikë antikombëtare e heshtjes, bëri që të humbas në sirtarët e harresës europiane gjenocidi ose masakra e Tivarit në vitin 1945, ku Serbia vrau 4 mijë të rinj shqiptarë të Kosovës. Bëri të harrohet gjenocidi ndaj popullsisë çame…. Është një detyrim i Kuvendit të Shqipërisë, që në një kohë sa më të shpejtë të ndërmarr vendimin për shpalljen e 11 korrikut në Shqipëri, si dita e përkujtimit të gjenocidit”.

 

 

Kategoritë
KulturëLajme