Diplomatët francezë në grevë, reforma e Macron në punët e jashtme prek 800 punonjës

Pjesëtarë të trupit diplomatic francez kanë organizuar një grevë këtë të enjte kundër reformës që pritet të ndërmarrë administrata e presidentit Macron.

Sipas reformës së parashikuar, mund të shkurtohen deri në 800 vetë staf, dhe kjo ka sjellë reagim nga diplomatët. Ata thonë se janë të shqetësuar se kjo masë do të dëmtojë karrierën e tyre dhe pozitën e Francës në botë. Reagimet kanë qenë nga diplomatët anekënd globit, nga Tokio në Lindjen e Mesme dhe Uashington.

Ambasadorët dhe diplomatët kanë mbështetur njëri–tjetrin në këtë grevë njëditore dhe kërkojnë që presidenti Emmanuel Macron ta anulojë planin për të bashkuar diplomatët e karrierës me një trup më të madh nëpunësish civilë, duke filluar nga janari i vitit të ardhshëm.

Reforma e shpallur nga Macroni me një dekret në prillit, thuhet se do të prekë rreth 800 diplomatë, por kundërshtarët e reformës thonë se ky është vetëm fillimi.

“Ne rrezikojmë zhdukjen e diplomacisë sonë profesionale,” shkruante një grup prej 500 diplomatësh në një koment të botuar javën e kaluar në gazetën “Le Monde”.

Ndërkohë, Elizeja zyrtare thotë se qëllimi i reformës është që të modernizojë dhe diversifikojë trupin diplomatik të Francës, i cili u krijua në shekullin e 16-të, si edhe të thyejë një lloj elitarizmi institucional që ka krijuar në vetëvete dikasteri, por diplomatët thonë se puna e tyre kërkon specializim dhe ekspertizë të fituar me vite në poste në mbarë botën  dhe nuk ka vend për amatorë.

Kategoritë
BotaLajme