“Dirigjenti” i mesfushës “Helvete”, UEFA vlerëson maksimalisht Granit Xhakën

Ishte mëse e pritshme. “Helvetët” e Zvicrës nuk kanë zhgënjyer në asnjë moment, në sfidën e parë të Kampionatit Evropian të futbollit, teksa kanë dominuar në lojë dhe kanë arritur të sigurojnë, një fitore me rezultatin e thellë, 3 me 1, në “RheineEnergieStadion”, të Këlnit, përballë Hungarisë, në sfidën e vlefshme për Grupin A, të Euro 2024.

Protagonistë të golave ishin treshja Duah-Aebischer-Embolo, mirëpo “ylli” i vërtetë i sfidës është dikush tjetër, e më konkretish një shqiptar. “Il Capitano”, Granit Xhaka ishte “truri” i vërtetë i kësaj Zvicre, teksa me lojën e tij të saktë në mesfushë arriti të dominojë totalisht kundërshtarin, si dhe të krijojnte thuajse çdo aksion të “Helvetëve”.

Falë kësaj performance të madhe, UEFA e ka nderuar kampion e ri të Bundesliga, me titullin “Man of the Match”, e thënë në shqip, “Lojtari i Ndeshjes”. Tashmë kapiteni i “Helvetëve” duhet të mendojë për sfidën e radhës, atë ndaj Skocisë, ku në rast sigurimi të një tjetër 3 pikësh arrin t’i japë Kombëtares së tij, një “biletë” për në raundin e 1/16-ve, të Euro 2024.

Kategoritë
Sport