Disa prej dijetarëve më të njohur myslimanë kanë nxjerrë një dekret fetar të rrallë ose “fetva”, duke u bërë thirrje të gjithë myslimanëve dhe vendeve me shumicë myslimane që të shpallin “xhihad” kundër Izraelit, pas 17 muajsh lufte shkatërrimtare kundër palestinezëve që jetojnë në enklavën e rrethuar.
Ali al-Qaradaghi, sekretar i përgjithshëm i Unionit Ndërkombëtar të Dijetarëve Myslimanë (IUMS), një organizatë që më parë drejtohej nga Yusuf al-Qaradawi, u bëri thirrje të premten të gjitha vendeve myslimane që “të ndërhyjnë menjëherë ushtarakisht, ekonomikisht dhe politikisht për të ndalur këtë gjenocid dhe shkatërrim të përgjithshëm, në përputhje me mandatin e tyre”.
“Dështimi i qeverive arabe dhe islame për ta mbështetur Gazën, teksa ajo po shkatërrohet, sipas ligjit islam, përbën një krim të madh kundër vëllezërve tanë të shtypur në Gaza,” thuhet në dekretin që përmban rreth 15 pika.
Qaradaghi është një nga autoritetet më të respektuara fetare në rajon dhe dekretet e tij kanë peshë të madhe tek 1.7 miliardë myslimanë sunitë në botë.
“Fetvaja” është një vendim ligjor islam i padhunueshëm nga një dijetar i nderuar, zakonisht i bazuar në Kuran ose sunet – thëniet dhe praktikat e Profetit Muhamed.
“Është e ndaluar të mbështetet armiku jobesimtar [Izraeli] në fshirjen e myslimanëve nga Gaza, pa marrë parasysh llojin e mbështetjes. Është e ndaluar t’i shiten armë ose t’i mundësohet transporti i tyre përmes porteve apo rrugëve ndërkombëtare ujore si Kanali i Suezit, Bab el-Mandab, ngushtica e Hormuzit apo çdo rrugë tjetër tokësore, detare apo ajrore. Komiteti [IUMS] nxjerr fetva që kërkon bllokadë ajrore, tokësore dhe detare ndaj armikut okupator, si shenjë mbështetjeje për vëllezërit tanë në Gaza,” deklaroi Qaradaghi.
Deklarata e tij, e mbështetur gjithashtu nga 14 dijetarë të tjerë myslimanë të shquar, u bëri thirrje të gjitha vendeve myslimane të “rishqyrtojnë marrëveshjet e tyre të paqes” me Izraelin dhe myslimanëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës që të ushtrojnë presion ndaj presidentit Donald Trump që “të përmbushë premtimet e tij elektorale për të ndalur agresionin dhe për të vendosur paqen”.
Pavarësisht premtimeve të përsëritura për ta ndalur luftën gjatë fushatës zgjedhore dhe përshpejtimit të një armëpushimi të përkohshëm pak para se të merrte detyrën në janar, thuhet se Trump i ka dhënë dritën jeshile Izraelit për të vazhduar luftimet muajin e kaluar.
Që nga shkelja e marrëveshjes për armëpushim, Izraeli ka vrarë mbi 1200 palestinezë, përfshirë qindra fëmijë. Më shumë se 50.000 palestinezë janë vrarë që nga fillimi i luftës në Gaza në tetor 2023.
Të premten, forcat izraelite vazhduan të sulmojnë enklavën, duke vrarë të paktën 30 persona që nga agimi, sipas burimeve lokale mjekësore dhe Agjencisë për Mbrojtje Civile të Gazës.
Valët më të fundit të bombardimeve kanë shënjestruar shkolla, strehimore, spitale, qendra ushqimore, zona të sigurta të shpallura nga Izraeli dhe impiante për desalinizimin e ujit.
Fotografitë dhe videot e sulmeve intensive në mbarë Gazën tregojnë shkatërrim të përhapur në lagje të dendura, ndërsa shumë palestinezë kanë ndarë ato që i kanë quajtur mesazhet e tyre të fundit për botën.
Gazetari Mohammed Abu Mostafa shprehu frustrimin e tij ndaj komunitetit ndërkombëtar në disa postime, duke shkruar: “Lamtumirë komunitetit më të pabesë në histori. Për disa orë Gaza do të fshihet nga faqja e dheut. Do të na gjeni vetëm në qiell.”
Ndërkohë, aktivisti palestinez dhe gazetari Aboud Battah u bëri thirrje njerëzve të flasin për Gazën, duke shkruar: “Flisni për ne. Betohem në Zot, po na shkatërrojnë në heshtje.”
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka premtuar ta intensifikojë ofensivën për të ushtruar presion ndaj Hamasit që të bëjë lëshime të mëtejshme.
“Tani po e ndajmë Rripin [e Gazës] dhe po e rrisim presionin hap pas hapi që të na kthejnë pengjet tona,” tha Netanyahu në një mesazh video të mërkurën.
Netanyahu dëshiron që Hamasi të lirojë 59 pengjet izraelite që mbahen ende, në këmbim të lirimit të të burgosurve palestinezë dhe ndihmës humanitare, por pa ndonjë angazhim që Izraeli do ta ndalojë luftën ose do të tërheqë trupat.
Për një marrëveshje përfundimtare të armëpushimit, Netanyahu insiston që Hamasi duhet të çarmatoset – një kërkesë që grupi e quan “vijë të kuqe” – dhe ka mbështetur hapur planet që Izraeli të marrë kontrollin e sigurisë në Gaza dhe të dëbojë palestinezët.
Hamasi bën thirrje për një rikthim në kornizën e mëparshme të një armëpushimi me tre faza dhe ka ofruar lirimin e të gjithë pengjeve menjëherë në këmbim të një armëpushimi të përhershëm.