Dita e Fitores mbi Nazizmin: Zelensky: Nuk do të lejojmë askënd që ta aneksojë fitoren tonë

“Sot ne festojmë Ditën e Fitores mbi Nazizmin (…) dhe nuk do të lejojmë askënd që ta aneksojë fitoren tonë”, deklaroi të hënën Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, në një videomesazh të xhiruar me rastin e 9 Majit teksa ecte në qendër të Kievit.

Përmes videomesazhit të tij me rastin e Ditës së Fitores mbi Nazizmin, Volodymyr Zelensky tha se “vetëm një i çmendur mund të shpresojë të përsërisë 2.194 ditët e konfliktit të Luftës II Botërore.

“Ai që po përsërit sot krimet e tmerrshme të regjimit të Hitlerit, duke ndjekur filozofinë e nazistëve dhe duke përsëritur gjithçka që ata bënë, është i dënuar. Sepse u mallkua nga miliona paraardhës në momentin që filloi të imitonte vrasësin e tyre. Në fund, do të humbasë gjithçka”, u shpreh udhëheqësi ukrainas.

Sipas tij, kjo nuk është një luftë e dy ushtrive, por një luftë e dy botëkuptimeve.

“Ne jemi njerëz të lirë që ndjekim rrugën tonë. Nuk i japim askujt një copë nga toka jonë. Sot ne festojmë Ditën e Fitores mbi Nazizmin dhe nuk do t’i japim askujt asnjë pjesë të historisë sonë. Ne jemi krenarë për paraardhësit tanë, të cilët e mposhtën nazizmin së bashku me kombet e tjera në koalicionin kundër Hitlerit. S’do të lejojmë askënd ta aneksojë fitoren tonë. Nuk do të lejojmë që ajo të përvetësohet. Ukraina së shpejti do të ketë dy ditë fitoreje. Ne fituam atëherë, do të fitojmë gjithashtu tani. Dhe (bulevardi) «Khreshchatyk» do të shohë paradën e fitores, fitoren e Ukrainës”, theksoi Zelensky.

Lideri ukrainas tërhoqi vëmendjen se Rusia mendonte që Ukraina do të refuzonte ta festonte 9 Majin dhe fitoren mbi nazizmin, ndërkohë që në Luftën II Botërore miliona ukrainas luftuan kundër nazizmit, i dëbuan nazistët nga Lugansku e Donjecku, mga Jalta, Simferopoli, Kerçi dhe nga e gjithë Krimea duke çliruar Hersonin, Melitopolin, Berdianskun dhe Mariupolin nga pushtuesit.

“Paraardhësit tanë i dëbuan nazistët nga e gjithë Ukraina, por këto qytete na frymëzojnë, na japin besim se ne patjetër do t’i dëbojmë pushtuesit nga territoret tona. Stërgjyshërit tanë luftuan për lirinë tonë dhe fituan. Ne gjithashtu luftojmë për lirinë tonë dhe lirinë e fëmijëve tanë, prandaj do të fitojmë”, vijoi ai.

Zelensky potencoi se Ukraina është tashmë pjesë e botës së lirë, ndërsa Rusia është gjithnjë e me e izoluar.

Gjithashtu ai përmendi fuqinë simbolike të vizitave në Kiev nga mysafirë të shquar ndërkombëtarë, përfshi këtu edhe Zonjën e Parë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës – Jill Biden, Kryeministrin e Kanadasë – Justin Trudeau, këngëtarin e grupi “U2” – Bono, si dhe Kryetarin e Bundestagut gjerman – Barbel Bas, me rastin e 77-vjetorit të përfundimit të Luftës II Botërore.

“Jam i sigurt se kjo ditë në Ukrainë ka treguar që ne jemi tashmë një pjesë e plotë e botës së lirë dhe e një Evrope të bashkuar”, potencoi ai duke hequr një paralele mes Moskës dhe Gjermanisë Naziste.

“Rusia ka harruar gjithçka që ishte e rëndësishme për fituesit e Luftës II Botërore. Unë u jam mirënjohës të gjithë mbrojtësve tanë, të cilët po mbrojnë dhe shpëtojnë Ukrainën nga pasardhësit modernë të asaj të keqeje të vjetër”, përfundoi udhëheqësi ukrainas.

Kategoritë
BotaLajme