Ditë e zezë në Wall Street: Pothuajse të gjitha aksionet ranë, frikë nga recesioni në SHBA

Aksionet amerikane ranë, bitcoini u lëkund, dhe treguesi i frikës në Wall Street arriti nivelin më të lartë të këtij viti, pasi shqetësimet për politikën ekonomike të presidentit Donald Trump çuan në një shitje të përgjithshme në treg të hënën, raporton CNN.

Dobësimi në Wall Street filloi herët, me të tre indekset kryesore që hapën me humbje të mëdha. Gjatë ditës, aksionet amerikane vazhduan të bien dhe, pavarësisht një ngritjeje të shkurtër pasdite, përfunduan në humbje.

Dow Jones mbylli me një rënie prej 890 pikësh, ose 2,08 për qind, duke u tërhequr pasi në një moment kishte humbur mbi 1100 pikë. Indeksi më i gjerë S&P 500 gjithashtu ra me 2,7 për qind, ndërsa Nasdaq Composite, i pasur me kompani teknologjike, ra me 4 për qind.

Dow dhe S&P 500 patën ditën e tyre më të keqe të vitit, ndërsa Nasdaq shënoi rënien më të madhe njëditore që nga shtatori 2022.

Kjo goditje e vazhdoi trendin e dobët të këtij muaji për tregjet, ku të tre indekset kryesore humbën të gjitha fitimet që kishin shënuar pas zgjedhjeve presidenciale në SHBA në nëntor.

Shitja masive u shkaktua kryesisht nga shqetësimet për ndikimin e tarifave të Trump-it. Në një intervistë të transmetuar të dielën, Trump tha se ekonomia amerikane do të kalojë në një “periudhë tranzicioni” dhe nuk e përjashtoi mundësinë e një recesioni.

Kur u pyet në emisionin “Sunday Morning Futures With Maria Bartiromo” në Fox News nëse priste një recesion këtë vit, Trump u përgjigj: “E urrej të bëj parashikime të tilla. Do të ketë një periudhë tranzicioni sepse ajo që po bëjmë është shumë e madhe.”

Aksionet teknologjike udhëhoqën rënien, duke e rënduar S&P 500 dhe duke e zhytur Nasdaq në territorin e korrigjimeve. S&P 500 u mbyll 8,6 për qind më poshtë nga niveli rekord i 19 shkurtit.

Shtatë kompanitë kryesore teknologjike – Alphabet, Amazon, Apple, Meta, Microsoft, Nvidia dhe Tesla – të gjitha u mbyllën me humbje të hënën.

“Komentet e presidentit Trump, të cilat nuk e përjashtojnë recesionin, i shqetësuan investitorët që tashmë ishin nervozë,” tha Anthony Saglimbene, strategu kryesor i tregut në Ameriprise.

Tesla ra me 15,4 për qind të hënën. Pas zgjedhjeve presidenciale në nëntor, aksionet e Teslës ishin rritur, por këtë vit kanë humbur gati 45 për qind, duke fshirë të gjitha fitimet që nga nëntori.

Aksionet e kompanisë kanë pësuar një goditje të madhe javët e fundit për shkak të protestave kundër CEO-së Elon Musk, i cili akuzohet për një rol të madh në administratën Trump, si dhe për shkak të rënies së shitjeve në Evropë.

Nvidia ra me 5 për qind, ndërsa Palantir, një tjetër kompani e rëndësishme në tregun e inteligjencës artificiale, humbi 10 për qind.

“Kur aksionet rriten tepër në njërin kah, ato gjithashtu bien tepër në anën tjetër,” tha Gina Bolvin, presidente e Bolvin Wealth Management Group.

VIX, treguesi i frikës në Wall Street, u rrit në nivelin më të lartë të vitit. Sipas CNN Fear & Greed Index, tregjet janë dominuar nga “frika ekstreme” gjatë dy javëve të fundit.

Bitcoini ra të hënën në rreth 78.000 dollarë, niveli më i ulët që nga nëntori.

Aksionet kanë pësuar rënie këtë muaj për shkak të pasigurisë rreth politikës tarifore të Trump-it. S&P 500 ra 3,1 për qind javën e kaluar, duke regjistruar javën më të keqe që nga shtatori.

“Tregu i aksioneve po humbet besimin tek politikat e Trump 2.0,” tha Ed Yardeni, president i Yardeni Research.

Trump ka kërcënuar me tarifa të mëdha për importet nga Kanadaja dhe Meksika, por më pas ka shpallur një shtyrje deri më 2 prill. Ai gjithashtu e dyfishoi tarifën për të gjitha importet kineze, nga 10 në 20 për qind, ndërsa tarifa 25 për qind për çelikun dhe aluminin pritet të hyjë në fuqi më 12 mars.

Për më tepër, javën e kaluar Trump kërcënoi me një tarifë 250 për qind për produktet e qumështit nga Kanadaja, si dhe “tarifa jashtëzakonisht të larta” për drurin e tyre. Të dielën ai i tha Fox News-it se tarifat mund të rriten më tej me kalimin e kohës.

Problemet po shfaqen edhe në fusha të tjera: shkurtimet e vendeve të punës po rriten, punësimi po ngadalësohet, besimi i konsumatorëve po bie dhe inflacioni po rritet.

Norma e interesit për obligacionet 10-vjeçare të qeverisë amerikane ra në 4,225 për qind, pasi investitorët po blinin obligacione të sigurta, një sinjal i qartë i shqetësimit për rritjen ekonomike dhe pasigurinë në treg.

Recesioni zakonisht përkufizohet si dy tremujorë radhazi të rënies së PBB-së. Komisioni i Ciklit të Biznesit i Zyrës Kombëtare për Kërkime Ekonomike, i cili është autoriteti zyrtar për këtë çështje, thotë se një recesion “përfshin një rënie të rëndësishme të aktivitetit ekonomik, që është e përhapur në të gjithë ekonominë dhe zgjat më shumë se disa muaj”.

“Sa kohë do të zgjasë kjo periudhë e pasigurisë së investitorëve varet nga sa shpejt do të largohen retë e tregtisë globale dhe kërcënimi i recesionit,” tha Sam Stovall, strategu kryesor i investimeve në CFRA Research, në një analizë të hënën.

Kategoritë
Ekonomi