Djali ekzekuton prindërit, dhëndri vret familjen e bashkëshortes, një shtëpi e banuar hidhet në erë: Këto janë masakrat më të bujshme në Mal të Zi

Masakra e djeshme në Cetinje, në të cilën u vranë 11 persona bashkë me vrasësin dhe u plagosen gjashtë të tjerë para se të vritej, është masakra më e rëndë e kryer nga një individ në historinë moderne të Malit të Zi.

Tridhjetë vjet më parë, më 3 qershor 1992, Kosta Damjanoviç, 22 vjeç, vrau nëntë bashkëfshatarë të tij në fshatin Pušonjski, afër Pljevljas. Pas kësaj masakre u vra edhe ai.

Një vit më vonë, në vendbanimin Čokrlije në komunën e Bjelopoljes, një i mitur 14-vjeçar vrau familjen e tij të ngushtë – prindërit, vëllanë, kushëririn dhe gjyshen dhe më pas kreu vetëvrasje.

Një krim tjetër ndodhi në Bijelo Polje në vitin 1993, kur Novo Soshiç, 44 vjeç vrau katër të afërm të ngushtë në shtëpinë e tyre. Në mesin e të vrarëve ishin dy fëmijë të moshës 12 dhe 8 vjeç dhe vetëm një djalë njëmbëdhjetë vjeçar mbijetoi.

Srđan Stamenković nga Nishi dhe pesë persona të tjerë vdiqën në vitin 2001 në Berane kur u hodh në erë një shtëpi trekatëshe në qendër të qytetit.

Doli se Stamenkoviç e solli eksplozivin në çantë me urdhër të Zoran Stevançeviçit nga Beogradi, i cili u arrestua dy muaj pas krimit dhe u dënua me burgim të përjetshëm.

Në vitin 2006, në natën e Vitit të Ri, Milan Zekoviç vrau një familje me pesë anëtarë në shtëpinë e tyre në Zelenica afër Herceg Novi. Mes viktimave ishin tre djem të moshës 12, 10 dhe 6 vjeç.

Ish-polici Slavko Milovic nga Andrijevica vrau tre persona në Rijeka Marseniç në vitin 2012. Pasi vrau vjehrrin, vjehrrën dhe kunatën e tij, ai kreu vetëvrasje.

Kategoritë
LajmeRajoni