Djali i Naser Kelmendit, Elvis Kelmendi, i cili akuzohet për trafik droge, lirohet në arrest shtëpiak

Elvis Keljmendi, i cili akuzohet për trafik droge, është liruar nga paraburgimi në arrest shtëpiak, ka konfirmuar avokati i tij Senad Kreho.

Ky vendim është marrë nga Gjykata e Bosnjë-Hercegovinës, me propozim të Prokurorisë së Bosnjë-Hercegovinës. Kelmendit i janë shqiptuar edhe masa shtrënguese përderisa është në arrest shtëpiak. Spekulohet se ky vendim është marrë për shkak se ai ka pranuar të bashkëpunojë me Prokurorinë e Bosnjë-Hercegovinës.

Ai, Ajlin Ahmiq dhe Anel Sejfovic janë arrestuar më 12 korrik të këtij viti gjatë aksionit policor “Rez”, të cilin e ka kryer policia e Sarajevës. Prokuroria e Bosnjë-Hercegovinës ka shpjeguar më parë se për çfarë akuzoheshin.

“Të dyshuarit vepronin si grup i organizuar kriminal me role dhe detyra të ndara, i cili kontrabandonte dhe shiste lëndë narkotike për një periudhë të gjatë kohore në zonën e Sarajevës dhe qyteteve tjera”, theksoi Prokuroria e Shtetit.

Ky grup ka qenë i lidhur me përdorimin e aplikacionit të koduar Sky me qëllim kryerjen e veprave penale.

Kategoritë
LajmeRajoni