Djathtët krijuan kaos në Beograd: Mbanin flamuj rusë dhe kërcënuan Vuçiqin me vdekje

Sonte në Beograd po mbahet protesta e quajtur “Stop tradhtisë së Vuçiqit ndaj Kosovës”, e organizuar nga shoqatat e djathta para ndërtesës së Presidencës së Serbisë.

Në protestë po marrin pjesë qindra persona, ndërsa mediat raportojnë se turma e grumbulluar kërkon vrasjen e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Sipas tyre, nga skena në një moment ka folur njëri prej organizatorëve të protestës, Dejan Petar Zllatanoviq, i cili në fund të fjalës së tij ka thirrur “Kush firmos, e vrasin”.

Me këtë, raportojnë mediat serbe, ai ia ka bërë të qartë Vuçiqit se çfarë e pret nëse pranon atë që Prishtina kërkon nga Beogradi, që është njohja reciproke.
Një numër i madh i të mbledhurve, përveç atyre serbë, mbanin flamuj rusë, e disa prej tyre mbanin tabela me shkronjën “Z”, simbol i agresionit rus në Ukrainë.

Në një moment ka ndodhur një incident i madh pasi të djathtët fillimisht kanë depërtuar gardhin, e më pas kanë arritur pikërisht në hyrje të Presidencës së Serbisë.

Pranë skenës së improvizuar me sistem zanor, u shpalos një pankartë ku shkruhej “mbështetje për Rusinë dhe vëllezërit rusë”.

Kategoritë
LajmeRajoni