Kompania Regjionale e Mbeturinave “Pastrimi” në kryeqytet u ka bërë thirrje qytetarëve dhe bizneseve që të kenë kujdes në trajtimin e mbeturinave, pasi shumë shpesh kontejnerët po digjen në këtë rajon.
Përmes një postimi në Facebook, Kompania Regjionale e Mbeturinave “Pastrimi” shprehet se dëmtimi ose djegia e kontejnerëve në sezonin e dimrit, jo vetëm që dëmton asetet publike, por po ashtu ndotë ambientin dhe ajrin.
“Dukuria e djegies së kontejnerëve nuk ka të ndalur në kryeqytet dhe gjitha njësitë operative ku Kompania Regjionale e Mbeturinave “Pastrimi”, Sh.A, kryen grumbullimin dhe largimin e mbeturinave. Dëmtimi i kontejnerëve dhe sidomos djegia e tyre në sezonin e dimrit, jo vetëm që dëmton asetet publike, por edhe ndotë ambientin dhe ajrin në të cilin ne jetojmë”, thuhet në njoftim.
“Ju bëjmë thirrje gjithë qytetarëve të jenë të kujdesshëm në trajtimin e mbeturinave me mbetje të hirit, po ashtu edhe bizneseve, veçanërisht bizneseve të gastronomisë që të ruajnë kontejnerët sepse vetëm në këtë mënyrë vetëm së bashku mund ta ruajmë dhe ta mbrojmë ambientin”.