Ylli i Arsenalit, Bukayo Saka, ka thyer heshtjen e tij pas lëndimit që pësoi e i cili do ta lë atë për një periudhë të konsiderueshme jashtë fushave.
Saka i cili ka shënuar nëntë gola për ‘Topçinjtë’ këtë sezon, ka pësuar një lëndim muskulor në fitoren që Arsenali e mori me rezultat 5-1 ndaj Crystal Palace në udhëtim, ku pas ndeshjes u vendos që ai duhet t’i nënshtrohet operimit.
Në mungesë të tij, Arsenali ka fituar me rezultat 1-0 ndaj Ipswich të premten, falë golit të shënuar nga Kai Havertz.
Por, një ditë më vonë, Saka ka dhuruar një përditësim sa i përket gjendjes së tij shëndetësore, duke ndarë për tifozët një mesazh në Instagram.
“Shumica i shohin pengesat, por pak i shohin mundësitë. Rikuperimi ka filluar dhe unë do të rikthehem më i fortë. Faleminderit të gjithëve për mesazhet”, ka shkruar Saka përkrah një fotoje nga shtrati i spitalit.
Saka u përkrah me shumë komente nga tifozët të cilët i uruan atij rikuperim sa më të shpejtë duke shpresuar që ai do të rikthehet sa më parë në fushë sërish.
Arsenali po synon shkëmbimin e lojtarëve me Milanin për ta mbuluar mungesën e Sakas
Por, realiteti është që Saka do të mungojë për një kohë të gjatë, ashtu siç e ka konfirmuar edhe trajneri Mikel Arteta, i cili ditë më parë tha se pret që anglezi të mungojë më shumë se dy muaj.
Ky lëndim i Sakas mund të bëjë që Arsenali të aktivizohet në afatin kalimtar të janarit, ku dyshja franceze Randal Kolo Muani dhe Kinglsey Coman janë përmendur si opsione të mundshme.