“Do ta rrëzoj Kurtin deri në shtator”, Ali Ahmeti tregon çfarë ndodhi me Ramën në Ohër

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti ka folur rreth asaj që u raportua në media se kryeministri Edi Rama ka thënë në samitin e Ohrit se “do ta rrëzojë Albin Kurtin nga pushteti brenda shtatorit”.

Ali Ahmeti ishte i pranishëm në këtë samit dhe thotë se kjo nuk është e vërtetë. “Jo asesi. Kjo s’ka qenë fare kjo bisedë”, – e mohoi Ahmeti këtë deklaratë në emisionin Pressing në T7.

Edhe pse në publik Ahmeti e mbron përgjithësisht Ramën zbuloi pa dashje një dëshirë të kreut të qeverisë shqiptare.

“Edi Rama ka shprehur shqetësim para meje. Ai donte se si të afrohej me autoritetet në Kosovë që të shpjegonte të kthjellonte gjërat më mirë. Jo të imponueshme, por të sqarueshme.

Iniciativa “Ballkani i Hapur” nuk është obliguese për palët. Mali i Zi dhe Bosnja ishin si vëzhguese. U nënshkruan marrëveshje me rëndësi.

Ç’ka humb Kosova nëse e merr pjesë në iniciativë me flamur të vetin. Merr pjesë si e barabartë. E barabartë në mesin e të barabartëve. I pranon marrëveshjet e leverdishme.

Nuk i pranon ato që nuk i konvenojnë. Nuk kam dëgjuar asnjë argument të vlefshëm. Thonë se Serbia do ta dominojë tregun. Por në Serbi janë krejt investime të huaja vëlla. Investimet të huaja gjermane, franceze, turke e kështu me radhë”, shton ai.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreRajoni