Parlamenti i Republikës Sërpska miratoi sonte vendimin për nisjen e procedurës për miratimin e një kushtetute të re për këtë entitet, duke injoruar paralajmërimet e Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë (OHR) se një veprim i tillë shkel në mënyrë drastike Marrëveshjen e Daytonit dhe kushtetutën e Bosnje dhe Hercegovinës.
Këtë vendim e votuan deputetët e shumicës qeverisëse, të kontrolluar nga presidenti i RS-së, Milorad Dodik, me iniciativën e të cilit u nis ky proces, si përgjigje ndaj hetimit që Prokuroria e Bosnje dhe Hercegovinës po zhvillon kundër tij dhe drejtuesve të tjerë të entitetit, me dyshimin se kanë kryer veprën penale të përmbysjes së rendit kushtetues të Bosnje dhe Hercegovinës. Kjo iniciativë erdhi pasi ata miratuan ligje me të cilat tentuan të pengonin funksionimin e Gjykatës dhe Prokurorisë shtetërore, si dhe agjencive policore brenda entitetit.
Nisma për ndryshimin e kushtetutës së RS-së erdhi menjëherë pasi Prokuroria e Bosnje dhe Hercegovinës kërkoi arrestimin e Dodikut, kryeministrit të entitetit Radovan Višković dhe kryetarit të parlamentit Nenad Stevandić, pasi ata refuzuan të paraqiteshin për t’u marrë në pyetje.
Višković dhe Stevandić më pas, gjatë një seance të parlamentit të RS-së, mbështetën agresivisht nevojën për një kushtetutë të re, ndërsa akuzuan deputetët opozitarë që e kundërshtonin këtë nismë si tradhtarë, gjë që çoi në përplasje të shumta, fyerje dhe sharje gjatë debatit.
“Kokat tona kërkohen sepse duam të ruajmë kushtetutën, territorin dhe pasurinë e RS-së,” tha Stevandić, por u përball me kritika nga opozita, e cila pretendoi se pas kësaj përpjekjeje fshihet synimi për të mbrojtur Dodikun, duke vënë kështu drejtpërdrejt në pikëpyetje ekzistencën e RS-së.
“Ju po na çoni në izolim. Po na shembni shtëpinë,” u tha përfaqësuesve të koalicionit qeverisës kreu i grupit parlamentar të Partisë së Progresit Demokratik (PDP), Igor Crnadak, i cili më pas u akuzua nga kryeministri Višković se është mercenar i huaj dhe se për tradhtinë e tij ka marrë një apartament në Londër. “Turp të kesh, Radovan, kur gënjen kështu,” iu përgjigj Crnadak.
“Ky proces paraqet një rrezik serioz”
OHR, para seancës së parlamentit, paralajmëroi deputetët se miratimi i një kushtetute të re të entitetit, sipas draftit që tashmë është shfaqur në publik, “përfaqëson një rrezik serioz” për Marrëveshjen e Daytonit, por edhe për statusin e distriktit të Brçkos.
“Të gjithë deputetët e Kuvendit Popullor të RS-së dhe Këshillit të Popullit të RS-së duhet të jenë të vetëdijshëm se ky proces paraqet një rrezik serioz. Ata duhet të përmbushin detyrën e tyre dhe të refuzojnë këtë sulm ndaj rendit kushtetues të Bosnje dhe Hercegovinës dhe karakterit multietnik të RS-së,” thuhet në deklaratën e OHR-së.
Drafti i kushtetutës së re të RS-së, i hartuar në zyrën e Dodikut, e përcakton RS-në si një shtet me të drejtën e vetëvendosjes dhe të bashkimit me shtete të tjera, parashikon të drejtën e këtij entiteti për të pasur ushtrinë e vet dhe eliminon postet e nënkryetarëve të RS-së nga radhët e kroatëve dhe boshnjakëve, si dhe Këshillin e Popullit, i cili aktualisht garanton një lloj barazie për tre popujt konstituivë.