Dodik e ka humbur plotësisht busullën: Kushdo që vazhdon të punojë në institucionet e BiH do të duhet të largohet nga RS

Presidenti i Republikës Sërpska, Milorad Dodik, ka njoftuar krijimin e “Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Prokurorial të Republikës Sërpska (VSTV RS)”.

Kjo iniciativë vjen në një moment kur institucionet e RS-së po sfidojnë gjithnjë e më hapur kompetencat e organeve shtetërore, përfshirë Gjykatën dhe Prokurorinë e Bosnje dhe Hercegovinës.

Dodik pretendon se qëllimi i krijimit të VSTV RS është “lufta kundër krimit dhe organizatave kriminale”, duke shtuar se në institucionet aktuale të drejtësisë “ka njerëz të ndershëm që punojnë”, ndërsa të tjerët, sipas tij, “do të duhet të shpërngulen”.

Ai shtoi se SDA asnjëherë nuk ka qenë e gatshme për bisedime mbi Marrëveshjen e Dejtonit në formën e saj origjinale, por ai nuk e ka ftuar këtë parti në bisedime, pasi nuk është pjesë e pushtetit në Federatë.

Dodik theksoi se Republika Sërpska nuk ka pretendime territoriale ndaj Federatës së BiH, por është kundër krijimit të institucioneve që, sipas tij, punojnë kundër saj.

“Ne do të mbrojmë vullnetin tonë politik dhe pozitën kushtetuese të RS-së”, përfundoi Dodik.

Ai shtoi se ai dhe kryeministri i RS-së, Radovan Višković, kanë ftuar presidenten e Federatës së BiH, Lidija Bradara, dhe kryeministrin Nermin Nikšić të vizitojnë Banja Lukën në kohën që atyre u përshtatet, për të diskutuar zbatimin e Marrëveshjes së Dejtonit.

Dodik theksoi se ky ftesë është bërë në përputhje me bisedimet me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me qëllim të një kuptimi më të mirë të pozicioneve reciproke dhe gjetjes së zgjidhjeve të mundshme.

“Ne duam dialog,” deklaroi Dodik.

Ai përsëriti se “Republika Sërpska është kundër keqpërdorimeve në procesin e integrimeve evropiane”, duke theksuar se institucionet e BiH, veçanërisht Gjykata dhe Prokuroria e BiH, shpesh kanë qenë objekt i këtyre keqpërdorimeve.

Kategoritë
LajmeRajoni