Dodik “e uli topin”: Jam gati për bisedime, nëse më ftojnë nga Sarajeva, nesër në ora 10 jam atje

Presidenti i Republikës Srpska, Milorad Dodik, tha se populli serb është i përkushtuar për paqen dhe, pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i bëri thirrje të gjithë njerëzve në Republikën Srpska që të ruajnë paqen dhe stabilitetin pas vendimit të sotëm të Gjykatës së Bosnje dhe Hercegovinës.

“Nuk kemi ndonjë plan lufte, as nuk po përgatitim diçka. Jemi të gatshëm të bisedojmë, por jo të injorohemi. Presidenti i Serbisë theksoi nevojën për paqe. Jam i gatshëm të bisedoj me përfaqësuesit e popullit kroat dhe mysliman”, tha Dodik në një konferencë për media në Banja Luka pas takimit me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç.

Ai theksoi se është e rëndësishme që Bosnja dhe Hercegovina të vazhdojë të funksionojë, por vetëm brenda kuadrit të Kushtetutës.

“Nuk dua të jem ndër ata që humbën të gjitha fitoret në tryezë. Këmbëngul në atë që është e jona. Nuk kërkojmë asgjë më shumë. Vetëm kështu Bosnja dhe Hercegovina mund të mbijetojë. Jemi të gatshëm të bisedojmë edhe për tema të vështira si Gjykata dhe Prokuroria e Bosnje dhe Hercegovinës”, theksoi Dodik.

Ai tha se paqja është parësore dhe se nuk mbështet asnjë aktivitet kundër boshnjakëve dhe kroatëve.

“Ne do të thërrasim në bisedime aktorët e jetës politike që nesër, për t’i njohur ata me ndryshimet gjeopolitike. Nuk kemi interes për asnjë centimetër të Federatës së Bosnje dhe Hercegovinës, por na intereson ajo që na është dhënë me Kushtetutë”, tha Dodik.

Më pas shtoi se është i gatshëm për bisedime nëse e ftojnë nga Sarajeva.

“I ftoj ata në bisedime, jam i gatshëm. Nëse më ftojnë, jam i gatshëm të jem nesër në ora 10:00 në Sarajevë. Kudo që duan, le të më ftojnë – unë do të vij. Nëse nuk më ftojnë nesër, unë do t’i ftoj pasnesër. Ja, përsëri në Sarajevë, vetëm të gjej një hapësirë tek ata, që të mos kenë nevojë të vijnë në Republikën Srpska, dhe të bisedojmë. Jam i gatshëm për bisedime”, shtoi Dodik.

Ai shtoi se dje, Željka Cvijanović ka biseduar me të gjithë ambasadorët e BE-së, ndaj ai vendosi t’i ftojë edhe ata në bisedime.

“Do t’i ftoj nesër për të biseduar, për t’i njohur me situatën. Por, shumë gjëra të këqija janë gjeneruar pikërisht nga bashkësia ndërkombëtare”, theksoi Dodik.

“Ata duhet t’i kuptojnë dhe t’i pranojnë edhe vlerësimet tona. Nuk kërkojmë asgjë tjetër.”

Kategoritë
LajmeRajoni