Dodik: Rusia bëri gabim duke i dhënë energji të lirë Evropës për më shumë se 40 vjet

“Evropa është e mjerë dhe ka humbur fuqinë e saj. Rusia ka bërë një gabim të tmerrshëm duke i dhënë Evropës energji të lirë për më shumë se 40 vjet”, tha presidenti i RS, Dodik

Presidenti i Republikës Sërpska (RS), një nga dy entitetet e Bosnjë e Hercegovinës, Milorad Dodik, tha se “Rusia bëri gabim të tmerrshëm duke i dhënë Evropës energji të lirë për më shumë se 40 vjet”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Dodik foli për BeH-në, RS dhe Evropën në një kanal televiziv lokal.

Duke iu referuar “pronave të paluajtshme” dhe antikushtetuese në vend, Dodik tha: “Të gjitha pronat e paluajtshme brenda RS i përkasin RS dhe në asnjë mënyrë nuk i përkasin Bosnjë e Hercegovinës dhe nuk do t’i përkasin kurrë”.

“Çështja e pronës së paluajtshme është zgjidhur me Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit dhe asnjë Gjykatë Kushtetuese, Dhoma e Përfaqësuesve apo Kuvendi Popullor në nivelin e Bosnjë e Hercegovinës nuk do të mund ta ndryshojnë atë”, tha Dodik.

“Evropa ka humbur fuqinë e saj”

Në vazhdim Dodik tha se Evropa ka mbetur pa lider. “Evropa është e mjerë dhe ka humbur fuqinë e saj. Evropa nuk ka burime, lëndë të para dhe energji dhe nëse dëshiron një të ardhme në fushën e energjisë, duhet të mbështetet te dikush tjetër. Tregu më i afërt dhe më i mirë për ta është Rusia. Rusia ka bërë një gabim të tmerrshëm duke i dhënë Evropës energji të lirë për më shumë se 40 vjet”, thekson ai.

Sipas tij, Evropa u zhvillua falë energjisë së lirë që merrte nga Rusia. “Sigurisht që Perëndimi, Evropa dhe SHBA-ja nuk do të zhduken në terma konkretë, por Evropa nuk mund të matë vendin dhe rolin e saj në situatën aktuale dhe është bërë viktima më e madhe e asaj që po ndodh në botë”, tha Dodik.

Ai nënvizoi se mospjesëmarrja e tij në sanksionet kundër Rusisë po shkakton shqetësim në Evropë. “Dy kombe afër nesh po luftojnë dhe mendoj se kjo është tërësisht punë e Perëndimit”, tha presidenti i Republikës Sërpska.

Dodik potencoi se mendimet e Parlamentit Evropian për të nuk kanë rëndësi dhe se ai është në PE.

Kategoritë
BotaLajme