Dodik zbulon cilat janë dy fazat e përgjigjes ndaj aktgjykimit: RS do të krijojë konfederatë me Serbinë

Presidenti i Republikës Sërpska, Milorad Dodik, në një intervistë për Russia Today, ka deklaruar se përgjigjja ndaj aktgjykimit ndaj tij do të jetë në dy faza dhe se në fazën e dytë, entiteti do të dalë nga Marrëveshja e Dejtonit për paqe në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Dodik ka thënë se në fazën e parë “RS do të luftojë për rendin kushtetues të BiH”, duke theksuar se ajo që ekziston në praktikë në BiH nuk gjendet në Kushtetutë: nuk ka ushtri, Forcat e Armatosura të BiH, nuk ka SIPA, nuk ka Agjenci të Inteligjencës dhe Sigurisë, nuk ka Gjykatë të BiH, as Prokurori të BiH, nuk ka as UIO dhe as shumë agjenci të tjera.

Dodik ka deklaruar se gjithçka do të kthehet në atë nivel dhe më pas do të miratohet një ligj për daljen nga marrëveshja për Forcat e Armatosura të BiH.

“Nëse nuk pranojnë të kthehen në Kushtetutë, atëherë do të vijë faza e dytë, e cila nënkupton daljen tonë nga Marrëveshja e Dejtonit. Kjo fazë nuk është e kufizuar dhe do të japë mundësinë për të negociuar në BiH. Nëse edhe kjo refuzohet, atëherë nuk mbetet gjë tjetër veçse të miratohet një ligj ‘lex specialis’ për ndalimin e veprimit të gjykatës dhe prokurorisë në territorin e Republikës Sërpska, të largohen strukturat e SIPA-s dhe t’i ndalohet hyrja në territorin e RS-së,” ka deklaruar Dodik.

Ai gjithashtu ka shtuar se do t’i thërrasë të gjithë anëtarët e SIPA-s që të kalojnë në Ministrinë e Punëve të Brendshme të RS-së, po ashtu edhe ushtarët të tërhiqen, ndërsa RS do të krijojë sistemin e vet.

“Faza e dytë parasheh që ne fillimisht t’i drejtohemi partnerëve tanë, kryesisht Serbisë. Kjo fazë nuk do të zgjasë më shumë se gjashtë muaj,” ka thënë Dodik.

Dodik ka deklaruar se është i gatshëm të respektojë nenet e Kushtetutës dhe Marrëveshjen e Dejtonit, duke shtuar se në Aneksin II të Dejtonit thuhet se RS ka të drejtë të ketë ushtrinë e saj.

“Kjo situatë është e papërballueshme, i bën boshnjakët nervozë sepse nuk mund të imponojnë zgjidhjen e tyre. Ne po mbrojmë pozicionin tonë, duke besuar se kjo do të përfundojë një ditë, për të krijuar një sistem paqësor. Tani jam i bindur se kjo nuk është e mundur, por jam mjaftueshëm racional për të thënë – kthehuni në fazën e parë dhe respektoni Kushtetutën,” ka shtuar ai, duke theksuar se nuk kanë nevojë për ndonjë lëvizje apo ushtri dhe është i bindur se forcat ndërkombëtare nuk do të ndërhyjnë në asnjërën palë.

Ai gjithashtu ka theksuar se është për një zgjidhje paqësore, por që nënkupton krijimin e një konfederate me Serbinë.

“Ne nuk do të bëjmë asnjë lëvizje, por kur të vijë faza e dytë, ne do t’i drejtohemi drejtpërdrejt Serbisë si Republika Sërpska dhe do të kërkojmë krijimin e një marrëveshjeje për konfederatë ndërmjet Republikës Sërpska dhe Serbisë, më pas për federatë, si dhe do të kërkojmë një marrëveshje për bashkim monetar me Serbinë, në mënyrë që të mund të organizojmë jetën tonë dhe të mos varem nga budallallëqet që shohim në Sarajevë,” ka përfunduar Dodik.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreRajoni