Milorad Dodik reagoi ashpër ndaj vizitës së Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në Sarajevë me ftesë të organizatës joqeveritare “Krug 99”. Para pesë vitesh, megjithatë, Dodiku nuk kishte problem të ftonte Presidentin e atëhershëm të Kosovës, Hashim Thaçi, si Kryetar i Presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës.
Që nga mbrëmë, reagimet e ashpra të Dodikut dhe aleatëve të tij, përfshirë ministra dhe bashkëpunëtorë, nuk kanë të ndalur për shkak të vizitës së Kurtit në Sarajevë. Kurti ka ardhur me ftesë të Shoqatës së Intelektualëve të Pavarur “Krug 99” dhe pritet të marrë pjesë nesër në një sesion të zgjeruar në ndërtesën e Këshillit Bashkiak.
Gjithsesi, është e rëndësishme të kujtojmë Dodikun, Košaracin, Nešićin dhe të tjerët se në qershor të vitit 2019, si Kryetar i Presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës, Dodik i dërgoi një ftesë zyrtare Hashim Thaçit për të marrë pjesë në Samitin e Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SEECP), që atë vit mbahej në Bosnje dhe Hercegovinë.
“Jam i kënaqur që mund t’ju ftoj në darkën për liderët e delegacioneve që organizohet nga Presidenca e Bosnje dhe Hercegovinës më 8 korrik,” shkruhej, ndër të tjera, në letrën-ftesë.
Në fund të letrës, Dodik theksonte rëndësinë e Hashim Thaçit në nivel ndërkombëtar dhe shtonte se prania e tij personale në Sarajevë do të ndihmonte ndjeshëm në definimin e sfidave me të cilat përballet kontinenti.
Pas publikimit të ftesës, zyra e Dodikut tentoi ta justifikonte situatën duke thënë se “Thaçi nuk ishte ftuar si ‘President’ i Kosovës, por si Prishtinë.”
“Dhe në atë format është diçka e përcaktuar dhe e pranuar nga shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën, si Serbia, Greqia, Rumania, Moldavia dhe Bosnja dhe Hercegovina. Ai është ftuar si Prishtinë. Si Prishtinë le të vijë, nëse nuk ka problem me këtë,” deklaroi Dodik.
Tani, Dodik deklaron se ardhja e Kurtit “do të komplikojë ndjeshëm situatën në Bosnje dhe Hercegovinë.”
Sërish, duhet theksuar se Albini Kurti nuk është ftuar nga ndonjë institucion kantonal, entitet apo shtetëror, por nga Shoqata e Intelektualëve të Pavarur “Krug 99”. /Gazeta e Re