Doganat shkaktuan rebelim mes republikanëve – 13 ligjvënës të gatshëm të “tradhëtojnë” Donald Trumpin

Të paktën 13 anëtarë të Partisë Republikane në Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit të SHBA-së janë të gatshëm të votojnë për një projektligj që do të kufizonte ndjeshëm kompetencat e presidentit amerikan për vendosjen e tarifave doganore, shkruan Axios.

Megjithëse ish-presidenti Donald Trump ka kërcënuar publikisht se do të mbështesë kundërshtarët politikë të çdo republikani që del kundër politikave të tij, ndikimi negativ i tarifave në tregjet financiare ka bërë që të paktën 12 anëtarë të partisë së tij të shqyrtojnë “rebelimin”, pra votimin kundër vullnetit të Trumpit.

Këtë grup e udhëheq përfaqësuesi nga Nebraska, Don Bacon, i cili ka paraqitur zyrtarisht një projektligj që do ta detyronte presidentin amerikan të shpjegojë brenda 60 ditësh në Kongres arsyet e vendosjes së tarifave.

Përkrah tij kanë dalë hapur edhe përfaqësuesit Jeff Hurd dhe Dan Newhouse, ndërsa Bacon ka deklaruar se përveç këtyre treve, edhe 10 kolegë të tjerë republikanë planifikojnë ta mbështesin projektligjin.

Pasi Partia Demokratike ka kritikuar qartazi vendosjen e tarifave, pritet që edhe ligjvënësit e saj ta mbështesin nismën, çka mund të sigurojë shumicën e nevojshme në Dhomën e Përfaqësuesve.

Një projektligj identik është paraqitur edhe në Senat nga senatorët Chuck Grassley (Republikan) dhe Maria Cantwell (Demokrate). Axios raporton se të paktën gjashtë senatorë republikanë janë shprehur se do ta mbështesin ligjin.

Nga ana tjetër, Trump ka paralajmëruar se do ta bllokojë çdo ligj të ngjashëm përmes të drejtës së vetos. Në atë rast, të dyja dhomat e Kongresit do të duhej ta miratonin ligjin me shumicë prej dy të tretash për të anashkaluar veton e presidentit.

Kategoritë
BotaLajme