“Doja të vija në ditën e nënës,” Jill Biden takon Zonjën e Parë në Ukrainë

Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara Jill Biden u ndal sot për  një vizitë të paparalajmëruar në Ukrainën perëndimore, ku u takua me Zonjën e Parë të vendit, Olena Zelenskaja. Zonja Biden shkoi në qytetin Uzhgorod, rreth 10 minuta me makinë nga një fshat sllovak në kufi me Ukrainën. Udhëtimi i saj u krye në fshehtësi dhe u njoftua vetëm pasi ajo ishte larguar nga Ukraina.

Zonja e Parë e SHBA-ve takoi në një shkollë Zelenskajan, duke e përqafuar atë dhe duke i dhuruar një buqetë me lule.

“Doja të vija në ditën e nënës,” i tha Biden Zonjës së Parë të Ukrainës, duke iu referuar ditës që është një festë e rëndësishme në Shtetet e Bashkuara.

“Mendova se ishte e rëndësishme t’i përcillja popullit ukrainas mesazhin se kjo luftë brutale duhet të ndalet dhe se populli amerikan qëndron me popullin e Ukrainës”, tha zonja Biden.

Të dyja zonjat e para vazhduan më pas bisedën në një klasë të vogël, të ulura në një tavolinë përballë njëra-tjetrës. Zonja Zelenskaja e falënderoi zonjën Biden për “aktin e saj të guximshëm”. Shkolla ku ato u takuan është kthyer në strehim të përkohshëm për të zhvendosurit ukrainas nga zona të tjera të vendit.

Kategoritë
BotaLajme