Doktori i Mjekësisë Urgjente: Të lënduarës nuk i kujtohet asgjë nga rasti

Një 30 vjeçar ka vdekur dhe një 30 vjeçare ka mbetur e lënduar sot si pasojë e rrëzimit të lisit në lagjen “Pejton” në Prishtinë.

E lënduara është duke u trajtuar në Klinikën Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe është jashtë rrezikut për jetë.Në një prononcim për Telegrafin mjeku kujdestar, Ejup Govori tha se 30 vjeçarja ka lëndime serioze në ekstremitet e poshtme.

“Gjendja e saj është stabile, pra është jashtë rrezikut për jetë, por ka lëndime serioze në ekstremitet e poshtme. Ende nuk kemi raport të detajuar por dyshohet për frakturë”, tha ai.

Ndërsa, sipas mjekut kujdestar në Qendrën e Mjekësisë Urgjente, Shpend Rrustemi, të lënduarës nuk i kujtohet asgjë nga rasti.

Në një intervistë në “Info Magazine” në Klan Kosova, Rrustemi tha se sipas asaj që i ka treguar e lënduara, krejt çka mban mend është momenti kur kishte dal nga puna.

“Gjatë bisedës me të asaj nuk iu ka kujtuar rasti si ka ndodhur dhe për viktimën nuk kishte asnjë njohuri. Ajo na ka thënë që unë vetëm e di që kam dal prej punës dhe nuk e di se çka ka ndodhur më tutje”, deklaroi Rrustemi. /Telegrafi/

Kategoritë
LajmeVendi