Sipas The Washington Post, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka shpërndarë në Pentagon një dokument sekret që përcakton prioritetet e reja të sigurisë dhe strategjisë amerikane.
Dokumenti tregon qartë se SHBA do të fokusohet në frenimin e Kinës, duke shmangur rreziqet në Evropë dhe rajone të tjera.
Dokumenti me titull “Udhëzime të përkohshme strategjike për mbrojtjen kombëtare” citon direkt pjesë nga Heritage Foundation, një institut konservator. Ai paraqet vizionin e Donald Trump për përgatitje dhe fitore në një luftë të mundshme me Kinën, si dhe rëndësinë e mbrojtjes së SHBA-së nga kërcënimet e afërta, kontrollit mbi Kanalin e Panamasë dhe Grenlandës.
Evropa jashtë fokusit:
Për shkak të kufizimeve të burimeve dhe personelit, SHBA pritet të ushtrojë presion ndaj aleatëve në Evropë, Lindjen e Mesme dhe Azi për të rritur shpenzimet për mbrojtje dhe për të marrë përgjegjësinë në pengimin e Rusisë, Iranit dhe Koresë së Veriut.
Sipas dokumentit, SHBA do të ofrojë vetëm mbështetje bërthamore për pengimin e Rusisë, ndërsa forcat amerikane do të angazhohen vetëm nëse nuk janë të nevojshme për mbrojtjen e territorit amerikan apo frenimin e Kinës.
Udhëzimi 9-faqësh i Hegseth pranon se në rast të një sulmi rus, ndihma amerikane për Evropën mund të jetë e kufizuar ose madje e papërfillshme.
Fokusi kryesor – Kina dhe Tajvani:
Të dyja administratat – ajo e Trump dhe e Biden – kanë cilësuar Kinën si kërcënimin më të madh. Udhëzimet e reja të Pentagonit e përqendrojnë ushtrinë amerikane në Indo-Paqësor, me theks të veçantë mbi një pushtim të mundshëm të Tajvanit.
Parashikohet rritje e pranisë ushtarake përmes nëndetëseve, bombarduesve, mjeteve detare pa pilot dhe forcave speciale.
Ndërkohë, Trump dhe administrata e tij kanë kritikuar Tajvanin për investime të pamjaftueshme në mbrojtjen e vet, duke kërkuar që ishulli të rrisë shpenzimet ushtarake deri në 10% të PBB-së – shumë më tepër sesa harxhojnë SHBA-të dhe aleatët evropianë./Gazetaere