Donald Trump kërkon 500 miliardë dollarë nga Ukraina për të vazhduar mbështetjen

Presidenti amerikan Donald Trump tha në një intervistë për Fox News se dëshiron 500 miliardë dollarë nga Ukraina, të cilat kjo e fundit do t’i paguajë përmes burimeve të rralla natyrore, në mënyrë që mbështetja nga Uashingtoni të vazhdojë.

“U thashë atyre se dua ekivalentin e 500 miliardëve në burime të rralla natyrore, dhe ata në parim ranë dakord për këtë,” tha Trump.

Më tej, ai shtoi se “përndryshe, SHBA do të dilnin si të marra” dhe se “nuk mund të vazhdojnë më t’u dërgojnë para thjesht ashtu.”

Ukraina zotëron rezerva të mëdha të elementeve dhe mineraleve kritike, nga litiumi te titani, të cilët janë thelbësorë për prodhimin e teknologjive moderne.

Gjithashtu, ka rezerva të mëdha qymyri, nafte, gazi dhe uraniumi, por një pjesë e madhe e këtyre burimeve ndodhet në territore nën kontrollin rus.

Presidenti ukrainas Volodimir Zelensky u ofron Shteteve të Bashkuara leje për të zhvilluar burimet natyrore të vendit të tij si një strategji për të mbajtur Trumpin në anën e tij.

Kjo ide ishte pjesë e “planit të fitores” të Ukrainës, një listë politikash ekonomike dhe të sigurisë që synojnë sigurimin e paqes me Rusinë, të cilin Zelensky ia paraqiti aleatëve vitin e kaluar.

“Amerikanët kanë ndihmuar më shumë, dhe prandaj ata duhet të përfitojnë më shumë,” tha Zelensky të premten në një intervistë për Reuters.

Pavarësisht kritikave të aleatëve të tij evropianë, veçanërisht kancelarit gjerman Olaf Scholz, Trump ka vazhduar të kërkojë burime natyrore nga Ukraina në këmbim të mbështetjes dhe duket se është i bindur se ka arritur një marrëveshje me autoritetet e këtij vendi.

Kategoritë
BotaLajme