Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka njoftuar se do të nënshkruajë një urdhër ekzekutiv që do të legalizojë sërish përdorimin e pipave plastikë për pije.
“Po kthehemi te plastika! Javën e ardhshme do të nënshkruaj një urdhër ekzekutiv për të shfuqizuar përpjekjen e pakuptimtë të Joe Biden-it për të përdorur pipa prej letre,” tha Trump.
Biden, paraardhësi i Trump-it, nuk përdori urdhra ekzekutivë për këtë çështje, por kishte prezantuar një plan për të ndaluar përdorimin e mjeteve të njëpërdorimshme për ngrënie, përfshirë pipat, deri në vitin 2035.
Megjithatë, Trump vendosi të shfuqizojë këtë plan me një urdhër ekzekutiv, duke shkaktuar kritika nga organizatat mjedisore në SHBA.
Ndërsa pipat prej letre ishin të papëlqyera nga një pjesë e popullsisë amerikane, përdorimi i tyre kishte reduktuar ndjeshëm ndotjen që shkaktohej nga mjetet plastike si në Amerikë ashtu edhe në botë.
Ky veprim është gjithashtu një nga vendimet e shumta të Trump-it për të shfuqizuar përpjekjet e administratës së mëparshme në luftën kundër ndryshimeve klimatike.
Trump i quan ndryshimet klimatike “mashtrim” dhe një nga vendimet e tij të para pas inaugurimit më 20 janar ishte rritja e nxjerrjes së gazit natyror dhe naftës, burime fosile që kanë një ndikim të dëmshëm në mjedis.