Dorëheqja e prokurorëve serb, tre prokurorë transferohen në Prokurorinë Themelore të Mitrovicës

Me qëllim të mbështetjes së Prokurorisë Themelore në Mitrovicë pas dorëheqjeve të prokuroreve serbë, U.D. Kryeprokurori i Shtetit, ka transferuar tre prokurorë nga prokuroritë tjera në këtë prokurori.

Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi për media nga zyra e U.D. Kryeprokurori i Shtetit, Besim Kelmendi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Pas ofrimit të dorëheqjes së prokurorëve të nacionalitetit serb, Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, në bazë të kompetencave kushtetuese dhe ligjore me qëllim të mbështetjes, funksionimit normal dhe efikas të punës në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, ka marrë vendim për transferimin e jashtëzakonshëm të tre (3) prokurorëve nga prokuroritë tjera themelore në Prokurorinë Themelore të Mitrovicës për një periudhë të përkohshme”, thuhet në njoftim.

Bëhet e ditur se prokurorët e transferuar do të punojnë në Departamentin e Përgjithshëm të Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, i cili është prekur më tepër nga ofrimi i dorëheqjes së prokurorëve të nacionalitetit serb.

“Varësisht nga rrethanat, U.D. Kryeprokurori i Shtetit do të veproj menjëherë në përputhje më ligjin, situatën dhe nevojat e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë”, thuhet tutje në njoftim

Kategoritë
LajmeVendi